21 janari, Prokuroria ironizon Gjykatën

15/02/2013 00:00

Prokuroria e kryeqytetit ka apeluar me nota të forta refuzimi vendimin e dy pafajësive të shpallura nga Gjykata e Shkallës së Parë për ish-komandantin e Gardës, gjeneral Ndrea Prendi dhe shefin e njësisë speciale, Agim Llupo.

Në materialin e shpërndarë nga zyra e shtypit e prokurorit të përgjithshëm argumentohen të gjitha kundërshtimet se përse kërkohet që Gjykata e Aplelit të rrëzojë vendimin e treshes gjyqësore Besnik Hoxha, Ardiana Bera dhe Arjana Caco.

Prokurorët deklarojnë se Gjykata, në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga akuza, duke u referuar në prova dhe fakte inekzistente dhe në tejkalim të kompetencave që i njeh ligji për çmuarjen e provave, ka deklaruar dy pafajësitë e mësipërme. Për qëndrimin e Gjykatës se Prokuroria nuk ka realizuar një hetim të njëkohshëm dhe gjithëpërfshirës për ngjarjet e 21 janarit, Prokuroia thotë:

“Hetimet e organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nuk kanë qenë të fokusuara vetëm për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve e efektivave të Gardës së Republikës, por në kuadër të hetimit të plotë të procedimit penal Nr.285 të v.2011, ato kanë përfshirë veprat penale që lidheshin me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullimin e manifestimin e paligjshëm, veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të policisë e efektivave të Gardës së Republikës për shkak të detyrës, shkatërrimin e pronës, etj. Megjithatë, pavarësisht këtij vlerësimi të gjykatës në tejkalim të komptencave që i njeh ligji, theksojmë se gjykata nuk ka të drejtë të gjykojë e të marrë vendim jashtë fakteve objekt akuze dhe provave të verifikuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, çka përcaktohet qartësisht në nenin 3/2 të k.Pr.Penale”.

Këndvështrimi i ndryshëm, gjyqtarë-prokurorë, për atë që Gjykata e konsideron si mungesë hetimi mbi intensitetin e sulmit në raport me veprimet e të pandehurve sipas detyrës së tyre, prokurorët kundërshtojnë se organi i hetimit ka provuar plotësisht se çfarë veprimesh të dhunshme ka kryer turma dhe se viktimat në momentin që janë vrarë kanë qenë me duar në xhepa dhe se asnjëri prej tyre, në asnjë moment nuk ka tentuar të hyjë brenda perimetrit të Kryeministrisë.

“Përveç këtyre momenteve ku provohet dhuna e protestuesve ndaj efektivave të gardës, është provuar se nga ana e viktimave gjatë gjithë kohës që është zhvilluar demonstrata, kanë qenë të paarmatosur, nuk kanë kryer asnjë veprim të dhunshëm ndaj efektivave policore jashtë rrethimit të objektit, apo efektivave të Gardës së Republikës brenda rrethimit të objektit të Kryeministrisë. Në momentin që janë qëlluar me armë zjarri, viktimat kanë qënë jashtë objektit (jashtë kangjellave ose gardhit rrethues) të Kryeministrisë, ku viktima Ziver Veizi ka qenë në trotuar në shoqërinë e një personi tjetër, duke qëndruar me duar në xhepa dhe duke mos kryer asnjë veprim ose akt dhune. Viktima Hekuran Deda, së bashku me dëshmitarët Fatos Mahmutaj, Hysni Peposhi e persona të tjerë, kanë qenë larg gardhit rrethues të Kryeministrisë pranë një pishe, të hipur në dy tavolina të vendosura nga gazetarët dhe po shikonin zhvillimin e demonstratës”, thotë Prokuroria.

Për mungesën e motivit, përmes të cilës gjykata rrëzoi akuzën për vrasje me dashje, prokurorët insistojnë: “Orientimi i veprimit konkludent të pandehurit Ndrea Prendi, i shprehur në gjuajtjen drejt turmës së protestuesve në të paktën 5  raste(predha e gjetur tek viktima Faik Myrto, në pemë dhe 3 predha tek UNHCR), konsiston dhe shpreh shtytjet e brendshme të të pandehurit në atë moment, shpreh më së miri qëndrimin e tij psikik ndaj pasojave që do shkaktonte, si dhe domosdoshmërinë e shkaktimit të tyre. Kjo formë dashjeje e të pandehurit Ndrea Prendi, në doktrinën juridiko-penale, përbën një nga format e tjera të dashjes, të quajtur “dashje e përcaktuar” (dalus determinatus). Në rastin konkret i pandehuri Ndrea Prendi, i vetëdijshëm për karakterin e veprimeve të tij dhe rrezikshmërine shoqërore të këtyre veprimeve, ka parashikuar jo vetëm mundësinë dhe domosdoshmërinë e ardhjes së pasojave, por ai me vullnet i ka orientuar këto veprime drejt ardhjes së tyre”.

Sipas Prokurorisë, Gjykata duhet t’i referohej dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të 1999 dhe të 2003 nga Gjykata e Lartë, në të cilat përcaktohen rastet kur Gjykata ndryshon cilësimin juridik të veprës pa prekur atributet e Prokurorisë. Përgjatë dhjetë faqeve apelim, Prokuroria arsyeton kundërshtimet e saj të forta duke iu referuar edhe mosngjashmërisë së rastit të sjellë në kujtesë për vendimin e Strasburgut për vrasjen e protestuesit “Xhuliani”.

Sipas Prokurorisë, Gjykata Penale nuk mori parasysh akt-ekspertimin e ekspertit Dritan Zoto dhe në vendim nuk dha asnjë arsye pse e refuzoi qëndrimin e ekspertit që u shpreh se, demonstruesi Ziver Veizi u vra nga një qitje e drejtpërdrejtë.

“Në një mënyrë aspak korrekte, në séancë gjyqësore duke anashkaluar me dashje pikërisht këtë trajektore të vërtetuar shkencërisht, u rindërtua një situatë hipotetike mbi goditjen e kësaj predhe me një material druri(me degë apo trung peme), i cili duke i ndryshuar drejtimin, natyrisht më pas edhe trajektoren e lëvizjes së saj, i ka shërbyer gjykatës për të ndërtuar alibinë se “predha ka qenë rikoshet”.Në këto foto e video, duket qartësisht distanca midis viktimës e të pandehurit, fakti që në lartësi të kësaj “vije qitjeje” sikundër aryeton gjykata, nuk ka asnjë “degë peme, apo trung peme”, e cila të ketë ndikuar në ndryshim të trjektores së predhës”, thonë më tej prokurorët.

Në përfundim, Prokuroria i kërkon Apelit të ndryshojë vendimin e 7 shkurtit dhe që ajo t’i dënojë ata për veprën që Prokuroria i akuzon, si dhe t’i dënojë në kufijtë e kërkesës së prokurorisë, pra 23 vjet ish-komandantin Ndrea Prendi dhe 25 vjet Agim Llupon.

Top Channel