Komunikimit përmes rrjeteve sociale nuk i ka shpëtuar as kreut të LSI-së, Ilir Meta. Ashtu si kryeministri Berisha, ai ka zgjedhur Facebook-un për t’iu përgjigjur pyetjeve në adresë të tij, përgjigje jo vetëm të shkruara, por edhe përmes figurës.

Njoftimi i zyrës së shtypit të LSI thotë se, kreu i kësaj partie i është përgjigjur vetë rreth 342 pyetjeve.

Sipas njoftimit, pyetjet për Metën kanë qenë një pjesë rreth koalicionit para dhe paszgjedhor, ku kreu i LSI përsëriti se do të jetë konventa ajo që do të vendosë rreth kësaj çështjeje.

Ndërsa një fashë tjetër pyetjesh ka qenë rreth punësimit. Më së shumti kanë qenë të rinjtë ata që pyesnin nëse në Shqipëri është e mundur të punësohesh përmes aftësive dhe jo përmes korrupsionit, pyetje të cilës Meta i është përgjigjur duke thënë se, motoja e LSI-së është “Arsim për Punësim”.

Një pyetje tjetër ka qenë edhe ajo për statusin e vendit kandidat, që për kreun e LSI është i mundur të arrihet edhe përpara zgjedhjeve të 23 qershorit.

Ndërkohë, nuk kanë munguar as interesimet për kreun e LSI, se si zyra e tij e shtypit zgjodhi këtë mënyrë për të komunikuar me publikun.

“Më pyesin nëse mund të takohen me mua drejtpërdrejt, kjo është e mundur nëse kontaktohet zyra ime dhe në rast se kontakti në Facebook është i pamjaftueshëm”, ka thënë Meta.

Top Channel