Rokanas takon Berishën e Panaritin

17/01/2013 19:30

Prezantimi i ambasadorit të ri grek në Shqipëri, Leonidas Rokanas, është pritur me interes që kur mes Athinës dhe Tiranes zyrtare u shkëmbyen deklarata të forta, të niveleve më të larta politike të të dy vendeve, në kohën e festimit të 100-vjetorit të Pavaresise së Shqiperise. 

Por, duket se në më pak se një muaj, gjërat janë sheshuar dhe ambasadori i ri grek i solli kryeministrit Berisha përshëndetjet e presidentit, kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Greqise.

Siç bën te ditur njoftimi zyrtar, këto përshendetje u shoqëruan me rikonfirmimin nga pala greke se Greqia, si vend anetar i Bashkimit Europian, do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm qeverinë shqiptare në të gjitha perpjekjet për anëtarësimin sa më të shpejtë te saj në Bashkimin Europian.

Njoftimi zyrtar nuk bën të ditur nëse mes kryeministrit Berisha dhe ambasadorit të ri të Greqise është prekur çështja për një marrëveshje të re të “delimitimit të hapesirave detare” mes Shqipërise dhe Greqisë”.

Marrëveshja e parë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare, të cilen duket se pala greke, nuk e njeh si një vendim të detyrushëm për t’u zbatuar prej saj.

Por, kjo çështje është prekur në takimin mes ministrit të Jashtëm Edmond Panariti dhe ambasadorit grek Leonidas Rokanas.

Edhe pse njoftimi zyrtar i pales shqiptare eshte telegrafik, atje thuhet se: “Dy bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin se duhet punuar së bashku për të arritur një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët lidhur me çështjen e delimitimit detar, mbështetur në legjislacionin ndërkombëtar dhe të drejtën e brendshme të të dy vendeve”.

Ligji i luftës dhe refuzimi i pasaportave shqiptare. Panariti: Të shtyhet moratoriumi deri në një zgjidhje finale

Ministria e Jashtme thote se zoti Panariti përsëriti kërkesën për shfuqizimin e “Ligjit të Luftës”, qe e ka cilesuar si “nje ligj te vjeter absurd te Greqisë” dhe qe sipas pales shqiptare do te çonte në një stad të ri marrëdhëniet e dy vendeve.

Njoftimi zyrtar nuk ben te ditur qendrimin e ambasadorit grek per kete kerkese dhe as per nje kerkese tjeter te rëndësishme të ministrit të Jashtëm shqiptar.

Duke shprehur shqetësimin për moslejimin e kalimit te shtetasve shqiptare në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, për shkak të mënyrës së shkrimit të toponimeve greke në pasaportat e tyre, ministri Panariti kërkoi nga pala greke shtyrjen e moratoriumit që lejon qytetarët shqiptarë të udhëtojnë me dokumentat aktuale që kanë në përdorim.

Ministri Panariti kerkoi që shtyrja e moratoriumit për këtë çështje të bëhet deri në arritjen e një marrëveshje përfurnimtare, për të cilen palët po diskutojnë dhe kanë avancuar drejt perfundimit të saj.

Ministria e Jashtme Shqiptare bën të ditur se kjo çështje është ngritur edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Athinë, i cili i ka përcjellë Ministrise së Jashtme Greke shqetësimin e pales shqiptare për këtë veprim, duke kërkuar, njësoj si minitri Panariti, që autoritetet greke te mos pengojnë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në Greqi, derisa të arrihet një marrëveshje e përbashkët midis dy shteteve për këtë çështje.

Top Channel