Rrëfehet Ansar: Njohja ime me Argitën

15/01/2013 00:00

Në qendër të akuzave ndaj vajzës së kryeministrit, Argita Berisha Malltezi, Partia Socialiste vuri një korrespondencë mes zyrës së saj avokatore dhe biznesmenit pakistanez Zafar Ansar, i cili kërkonte të investonte në Shqiperi në fushën e energjitikës.

Por cili është qëndrimi i zotit Ansar për të gjithë këtë histori nisur në vitin 2007? Ai jeton në Suedi, por Top-Channel mundi ta intervistojë nëpërmjet Skype për të sjellë versionin e tij për korrespondencën në fjalë dhe si lindi bashkëpunimi me zyrën avokatore të vajzës së kryeministrit.

Zafar Ansar thotë se Shqipërinë e ka vizituar për herë të parë kur një mik ishte ambasador i Pakistanit në Romë, që mbulonte edhe Shqipërinë. Ai e ftoi ta shoqëronte kur do t’i dorëzonte letrat kredenciale presidentit të Republikës.

Zafar Ansar thotë se kompania e tij kryesisht merret me financë dhe projekte energjitike. Në Shqipëri ai donte të blinte bankën e kursimeve, por ky projekt nuk u realizua pasi Ministria e Financave zotëronte 40% të aksioneve.

Më pas Ansar deklaron se nisi eksploronim mundësisë për të investuar në energjitikë. Me zotin Ansar bisedoi gazetari ynë Muhamed Veliu.

Veliu: Si mundët të takoheni me kryeministrin Berisha dhe çfarë biseduat?

Ansar: Takimi u organizua nga ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite. Vajta e takova për ta informuar se kisha në plan të ndërtoja një Tec me kapacitet 12 Mega Ëat. Kryeministri ishte i gëzuar që po dëgjonte rreth këtij projekti dhe më tha se do të bënte gjithçka që mundej duke shtuar se shpresonte që unë të bashkëpunoja me njerëz të mirë në Shqipëri. E falenderova duke i thënë se do të jetë kenaqësi e imja.

Veliu: Si jeni njohur me ambasadorin shqiptar në Arabinë Saudite, Admir Banaj?

Ansar: Në vitin 2007 Pakistani organizonte takimin e ministrave të Jashtëm të Konferencës Islamike në Islamabad. Merrte pjesë edhe Shqipëria duke u përfaqësuar nga zëvendësministrja e Jashtme, Edith Harxhi. Zoti Admir, ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite, ishte pjesë e delegacionit të saj. Kjo ishte hera e parë që e takova.

Veliu:
Kush ju prezantoi me kompaninë avokatore të Argita Berishës?

Ansar:
Takimi është organizuar nga zoti Admir, ambassador në Arabinë Saudite.

Veliu: A jeni takuar personalisht me Argita Berishën?

Ansar: Disa herë.

Veliu: A bëri ndonjë premtim Argita Berisha?

Ansar: Ne biseduam se çfarë ishim të interesuar të bënim. I tregova për mungesën e energjisë elektrike në Shqipëri dhe interesin që kisha në ndërtimin e një Teci. Ajo më tha se kjo është një diçka që na duhet dhe ne ju inkurajojmë për ta bërë atë.

Veliu:
Si mund të na e përshkruani të gjithë korrespondencën që patët me të?

Ansar: Ju keni aksesin e të gjithë e-maileve nga ku mund të shikoni të gjithë bashkëbisedimin që ne patëm, ku tregohet se si mund të ecnim përpara me këtë projekt. Ajo më këshilloi se duhej të përgatisnim një ofertë për kompaninë KESH. Ne e bëmë një gjë të tillë. Dhe kështu filluam.

Veliu: A ju la Argita Berishë ndonjë llojë impresioni se ajo po përdorte statusin e saj si vajza e kryeministrit për të plotësuar kërkesat tuaja?

Ansar: Fakti që ajo është vajza e kryeministrit më bëri të mos kisha asnjë dyshim në mendjen time se ajo do të mundësonte duke përdorur influencën e saj për të arritur objektivin që kisha, sa më parë pa patur probleme. Prandaj edhe rash dakort që të punoja me të.

Veliu: A ka patur ndonjë lloj presioni gjatë korrespondencës tuaj në blerjen e tokës për të cilën ishit i interesuar?

Ansar: Fillimisht nuk e dija që ajo kishte interes në shitjen e tokës të cilën më ofroi. Fillimisht më pyeti nëse dëshiroja të bleja tokë dhe çfarë hapësire. I tregova se kisha nevojë për tokë ku mund të ndërtoja Tecin. Këtë e bëra nëpërmjet një e-maili ku i shpjegoja specifikat e tokës që më duhej. Ajo më pas më informoi se toka ishte gati dhe se duhet të veproja shpejt në mënyrë që ta bleja pasi më vonë s’do të kisha mundësi. Toka e ofruar prej saj ishte jo e përshtatëshme, pa infrastrukturën e nevojshme, shumë e shtrenjtë dhe nuk përmbushte kërkesat e mija. E informova se ishte pak herët për mua të bleja token, pasi fillimisht duhet të aprovohej projekti dhe më pas të investoheshin miliona euro për blerjen e  tokës. Ajo më tha se aprovimi i projektit nuk do të përbënte problem. Lexoni e-mailet dhe nxirrini vetë konkluzionet. Shitja e tokës ishte një mundësi e shpejtë për të bërë para. Po, kishte presion ndaj meje për të blerë tokën. Pasi vedosa mos ta blija tokën, mu tha se projekti për ndërtimin e Tecit 120 Mega Ëat do të ketë probleme. Më pas nuk pata asnjë komunimin nga KESH-in. Nuk mu besua se si kjo mundësi për ndërtimin e Tecit u injorua në këtë mënyrë pasi do të lehtësonte nevojat e njerëzve për energji elektrike. E gjitha një humbje mundësie për të patur një investim prej 100 milionë eurosh.

Veliu: Cili është komenti juaj në lidhje me kërkesën e Flutura Kolës, partnere në kompaninë avokatore të Argita Berishës, e cila në e-mailin e datës 6 tetor 2007 thotë se, nëse investimi do të jetë i suksesshëm, ateherë ju duhet t’i paguanit kompanisë avokatore 1.5% deri në 3% të vlerës së investimit?

Ansar: Vlera e projektit shkonte në 100 milionë euro. Mu duk shumë e çuditshme për një kompani ligjore që të kërkonte të paguhej, krahas punës me aspektin juridik edhe me pagesë për suksesin e investimit pavarsisht sigurisë 100% në realizimin e qëllimit nga investitori. Praktika e përgjithëshme në Europë për kompanitë avokatore konsiston në pagimin nga klienti, vetëm të orëve të punës të avokatëve. Ata nuk kërkojnë të paguhen për atë që njihet si “pagesë për suksesin”: Në këtë rast duket qartësisht se meqënëse ajo është vajza e kryeministrit gjen mënyrën dhe e bën.

Veliu: Cilat ishin arsyet që u tërhoqët nga ky investim?

Ansar: Mund t’ju them se nuk u tërhoqa nga ky projekt, por mu tha se nuk mund të merrja lejen për ta ndërtuar Tecin. Arsyeja e vetme që mund të mendoj përse kjo ndodhi lidhet me mosblerjen e tokës me atë çmim aq të lartë që mu ofrua. Edhe sikur të më jepej leja, unë nuk do ta kisha blerë atë tokë, pasi nuk ishte e përshtatshme për të ndërtuar atë që une doja. Më erdhi shumë keq që s’munda ta realizoja një investim të tillë prej 100 milionë euro.

Veliu:
Pas publikimit të korrespondencës tuaj në median shqiptare a jeni kontaktuar nga ndokush, për të mohuar përmbajtjen e këtij bashkëbisedimi nëpërmjet postës elektronike?

Ansar: Në kohën kur e-mailet e mia u publikuan, zoti Admir Banaj më kërkoi disa herë që të hidhja në gjyq gazetarin që i publikoi ato. Sa herë që ma ka kërkuar ta bëja një gjë të tillë, iu përgjigja se nuk kam ndërmend të përfshihem në politikën e brendshme. Ai nuk hiqte dorë nga kjo kërkesë për të çuar në gjyq gazetarin, madje më bëri edhe oferta joshëse. Më prezantoi me një avokat në Tiranë, i cili ishte i gatshëm te merrej me këtë çështje, natyrisht me një kosto goxha të lartë. Përsëri i thash zotit Admir se nuk dua të merrem me këtë çështje. Ai u mërzit shumë me mua. Përdori influencën e tij në Ministrinë e Jashtme dhe në zyrën e kryeministrit për të më hequr titullin si “konsull nderi i Shqipërisë në Pakistan”.

Veliu: Sipas jush, heqja e titullit lidhet direkt me vendimin për të mos vazhduar me këtë projekt në Shqipëri, pas ndërprerjes së bashkëpunimit me zyrën e vajzës së kryeministrit?

Ansar: E çfarë tjetër mund të ishte? Nuk ishte e drejtë të më kërkonin me forcë të thoja gjëra që nuk doja t’i thoja. Ambasadori donte që unë të thoja se gjërat ishin në rregull, në mënyrë që të përfitonte njëri apo tjetri. Nuk rash dakort me të tilla kërkesa.

Top Channel