Mbyllet teatri i Gjirokastrës

08/01/2013 00:00

Teatri profesionist i Gjirokastrës i themeluar 41 vite është mbyllur me
dryn prej drejtuesit të tij Thimjo Fili nën pretendimin se aktorët nuk
kanë firmosur kontratat e punës të hartuara këtë fillim janari.

Mbyllja e Teatri dhe moslejimi i trupës të hyjë në ambientet e punës ndodhi sipas aktorëve krejt papritur dhe pa asnjë paralajmërim.

“Jemi të befasuar nga dera e mbyllur. Jemi aktorë dhe normalisht jemi dhe një cikë emocionantë, sepse profesioni na bën të tillë, por sot jemi të shokuar, jo të befasuar. Që të gjesh derën e institucionit të mbyllur pa asnjë arsye, e cila duhet të jetë për mendimin tim duhet të jetë madhore, më duket sa absurde aq edhe për të ardhur keq”, thotë aktori Viktor Caro.
 
Sipas trupës artistike prej 8 vetësh aktorët kanë qenë kundër shndërrimit të teatrit profesionist në kompani artistike teatrore.

Drejtuesi i Teatrit Thimjo Fili pretendon se e drejta qëndron në krahun e bashkisë së Gjirokastrës, e cila ka kërkuar nënshkrimin e kontratave individuale të punës sipas ligjit.

“Ata janë larguar vetë nga ky institucion dhe unë isha i detyruar të mbyllja derën me qëllim që të bëj një kërkesë të re për të prurë aktorë të rinj, meqë këta nuk kanë dëshirë të nënshkruajnë kontratën si të gjithë punonjësit e tjerë. Institucioni bën një kontratë dhe në bazë të ligjeve të shtetit punonjësit janë të detyruar të formosin kontratën”, thotë Fili.

Teatri nuk ka marrë asnjë investim lokal prej të paktën 15 vitesh. Gjendja e tij është pothuajse e degraduar dhe megjithëse trupa arrin të vendosë në skenë të paktën 2 shfaqje në vit.

Top Channel