Bllokohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve akti i dytë i rëndësishëm që lidhet me zgjedhjet e ardhshme, ai i ndarjes së vendit në Zona të Administrimit të Zgjedhjeve dhe që kërkon shumicë të cilësuar të votave.

Pas atij për shpërndarjen e mandateve të deputetëve, qe ka shkuar për zgjidhje në Kolegjin Zgjedhor, edhe ky akt pritet të ketë të njëjtin fat, ankimim në Kolegjin Zgjedhor në kushtet e mungesës së konsensusit në KQZ.

Ndarja e vendit në ZAZ ishte larg konsensusit mes partive politike, anëtarëve të KQZ-së dhe administratës së këtij institucioni, ku si në një lojë kungulleshkash, askush nuk është ndjerë i penguar të thotë shifrën e tij.

Administrata zgjedhore disa ditë më parë kishte propozuar 76 ZAZ, ndërsa në këtë mbledhje shtoi numrin e tyre duke propozuar 89 të tilla. Partia Demokratike kërkoi 100 ZAZ, me argumentimin se kështu përshpejtohet nxjerrja e rezultatit zgjedhor.

Ndërsa PS propozoi 75 zona zgjedhore, duke argumentuar se në këtë mënyrë zbatohet ligji që kërkon ZAZ me numër popullsie pothuajse të barabartë dhe se me shtimin pa kriter të zonave zgjedhore ulet mundësia për kontrollin dhe menaxhimin e tyre.

“Detyrimi ynë është që proçesi të jetë sa më i menaxhueshëm dhe që numërimi të bëhet në mënyrën sa më të shpejtë, që publiku të informohet mbi proçesin”, deklaroi komisioneri i PD, Njazi Kosovrasti, i cili hasi kundërshtimin e atij të PS, Gjocaj.

Kryetarja e KQZ-së mbështeti propozimin e demokratëve për sa më shumë zona zgjedhore, duke shtuar se numërimi i votave veçanërisht ka qenë një proçes tejet i kritikuar në zgjedhjet e kaluara dhe në këtë mënyrë i jepet shans një rezultati të shpejtë.

“Sa më shumë t’i vendosim zonat, aq më mirë do jetë. Sa më shumë të veprojmë brenda ligjit, aq më mirë do jetë”, deklaroi Lefteri Lleshi. “Numri ynë është pranë konsensusit, por nëse bllokohet, atëherë do të thotë që jeni ju që nuk jepni konsensus”, replikoi komisioneri i opozitës, Denar Biba.

Në këtë kaos shifrash u panë edhe anëtarë të tjerë me të tjera propozime për numrin e ZAZ-ve, duke bërë të qartë se leximi i ligjit zgjedhor njësoj dhe arritja e shumicës së cilësuar në këtë KQZ është e vështirë.

Top Channel