Personat me aftësi të kufizuar

06/12/2012 20:00

Vizioni që shpalos PS për personat me aftësi të kufizuar në programin për një rilindje shqiptare u diskutuan në një tryezë me shoqatat e ndryshme, njëkohësisht kontributor të drejtëpërdrejtë në kapitulllin e programit ku adresohen problemet e tyre.

Drejtuesit e shoqatave që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar kanë shprehur indinjatën e tyre ndaj politikanëve dje në opozitë sot në pushtet, të cilët i kanë braktisur premtimet e dhëna.

”Situata në të cilën ndodhemi është ndër më të vështirat dhe na ka detyruar që të bëjmë disa greva urie, por pavarësisht kësaj, me paturpësinë më të madhe, zëvendësministrja Filloreta Kodra vjen dhe na bën një bilanc me të gjitha përfitimet e mëdha që i janë dhënë shtresës sonë”, deklaroi Mybere Prizreni, kryetare e shoqatës së para-tetraplegjikëve.,

Deputetja Eglantina Gjermeni tregoi planin qeverisës të PS, nesër në pushtet, për të përmirësuar jetesën e këtij grupi shoqëror.

”Një ndër masat e para të 100 ditëve të qeverisjes socialiste do të jetë anullimi i ligjeve diskriminuese të miratuara nga ana qe kësaj maxhorance. Në programin tonë të rilindjes, personat me aftësi të kufizuar do të kenë politika dhe shërbim, në bashkëpunim me të gjithë qytetarët e tjerë ”, deklaroi Gjermeni.

Kreu opozitës, Edi Rama tha se paratë me të cilat qeveria supozohej t’i shpenzonte për kete kategori kanë shkuar për afera korruptive. Ndërsa qeverinë e nesërme socialiste e përshkroi si e të gjithëve për të gjithë.

”Secili paguan taksat e miratuara nga Parlamenti, por askush nuk duhet të detyrohet të paguajë taksën e korrupsionit që po i merr frymën Shqipërisë dhe po turpëron botërisht vendin tonë, për të pasuruar personat në pushtet dhe klientët e tyre. Ky do të jetë edhe burimi kryesor i të ardhurave për të realizuar rilindjen dhe ne do ta garantojmë me vendosmëri këtë burim”, deklaroi Rama.

Sipas Edi Ramës, shurdhëria tronditëse  e qeverisë Berisha ndaj morisë së problemeve që kanë shqiptarët  u reflektua në mënyrë tragjike me  vetëdjegjen e të ndjerit Lirak Bejko për të cilin, kryetari PS-s  tha se  “Ai iu dorëzua qeverisë dhe nuk e dëgjoi askush”.

Top Channel