Kryeministri Sali Berisha ka ngjitur shkallët e Presidencës për të
zhvilluar një takim për më shumë se 40 minuta, mesditën e së enjtes me
Presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Ky është takimi i parë i filmuar nga kamera e Top Channel, e Kryeministrit në Presidencë pas një kohe të gjatë mardhëniesh të akullta mes zotit Berisha dhe ish presidentit Topi.Mbetet enigmë se cfarë ka biseduar Kryeministi me Presidentin Nishani pasi për aq kohë sa zyrat e shtypit respektive të Kryeministrit dhe Presidencës, të kontaktuar nga Top Channel, nuk pranuan të japin detaje rreth takimit.

Ky takim është zhvilluar në një kohë kur mbeten pezull disa zëvëndësime sic është ai vendit vakant që lë Adriatik Llalla në Inspektoriatin e Lartë të Kontrollit të Pasurive, sikurse edhe zgjedhja të premten e trupës prej 8 anëtarësh të Kolegjit të ri Zgjedhor nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kryetar i të cilit është presidenti Nishani.

Mësohet se nga koha që Bujar Nishani u zgjodh kreu i shtetit, Kryeministri Berisha ka zhvilluar në Presidencë edhe disa takime të tjera me kreun e shtetit, por të paraportuara në media të cilat janë përshkruar nga stafet e tyre, si në vazhdën e bashkëpunimit institucional.

Sakaq bashkëpuntorë të ish-presidentëve Alfred Moisiu dhe Bamir Topi tregojnë se në të gjitha rastet, kur këta dy ish-presidentë zhvillonin takime  me Kryeministrin, për hir të transparencës, njoftimet vendoseshin në faqe zyrtare të Presidencës ku thuhej se bashkëbisedimi ishte për çështje pune dhe jo detyrimisht të jepeshin detaje të hollësishme për temat e prekura.

Top Channel