Partia Socialiste i bëri një bilanc festimeve të 100-vjetorit, duke shpalosur një numër shkeljesh, si në aspektin protokallar dhe atë monumental.

”Për fat të keq dhe për turpin e të gjithëve, këto ditë historike u shoqëruan me kaos institucional, mungesë të theksuar profesionalizmi, folklorizma demode, tallava e butafori boshe që në disa raste arritën kulme të papara”, denoncoi Artan Lame.

”Marrëzitë dhe kaosi që shoqëroi këto ditë të kaq të rëndësishme, do t’i ndaja në dy grupe: Në marrëzitë protokollare dhe në marrëzitë monumentale. Të gjithë pamë shqiponjën tonë, simbolin e shenjtë të shqiptarëve të deformuar si mos më keq. Të gjithë folëm: Për shkeljet e protokollit presidencial, që u paraqit në këto festime me mungesë të theksuar dinjiteti dhe për trupin diplomatik që në shumicë nuk arriti as t’i afrohej tribunave e jo më të zinte vend në to apo edhe për ambasadorë që as që denjuan të merrnin pjesë në mënyrë demonstrative në këto festime”.

Sipas koleksionistit dhe publicistit Lame, një prej shkeljeve që la më tepër gjurmë tek të gjithë qe përdhosja e simbolit tonë të përbashkët, shqiponjës dykrenore.

”Ajo u shpërnda më qindra-mijëra kopje në një version të përçudnuar me sqep të shkulur e me një gjuhë të deformuar keqazi. Ngado thuhej si është e mundur një gjë e tillë dhe a nuk duhet rregulluar me ligj një gjë e tillë. Por, çfarë vlere kanë ligjet, kur bien në dorë të talebanëve me vuvuzela. Kulmi i groteskut u arrit me shtatoren e Hasan Prishtinës, që u vendos në cepin e lulishtes prapa Muzeut Historik Kombëtar në fillim të Bulevardit Zog, ndërsa në skajin tjetër do vedoset shtatorja e vetë Naltmadhnisë. Vrasësi dhe i vrari do ulen t’i bëjnë karshillëk njëri-tjetrit. Kulm i talljes u arrit me shtatoren e Ismail Qemalit, që as që morën mundimin ta prodhonin, por morën atë që gjendej në sallat e Muzeut dhe e vunë në cepin më të errët të një lulishteje, duke e quajtur këtë inagurim”, vazhdoi Lame.

Në fund, zoti Lame, duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Berisha, renditi një listë të gjatë të atyre objekte për të cilat kryeministri u zotua se do të përfundonin së ndërtuari për 100 vjetorin e pavarsisë, por nuk u realizuan kurrë.

Top Channel