Holtkemper: Integrimi bazohet në merita

30/11/2012 00:00

Që  Shqipëria ta marrë  statusin e vendit kandidat në këndvështrimin e shtetit gjerman, kjo duhet të arrihet në  bazë të meritës. Në një intervistë për Top Channel ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper thotë  se integrim do të  thotë zbatim i 12 prioriteteve.

Fillimisht ambasadorja komenton situatën politike në vend, në një kohë kur Partia Demokratike dhe Partia Socialiste mbeten të ndara në qëndrimet e tyre, që lidhen me miratimin e tre ligjeve që kërkojnë tre të pestat e  votave në Parlament, thelbësore për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Top Channel: Shkëlqesi ambasadore. Cili është komenti juaj për situatën aktuale politike në Shqipëri, pasi PD-ja dhe PS-ja mbeten të ndara në qëndrimet e tyre, që lidhen me miratimin e tre ligjeve, që kërkojnë tre të pestat e votave në Parlament, thelbësore për marrjen e statusit të vendit kandidat?

Carola Müller-Holtkemper: Unë mbetem shpresëplotë që klasa politike shqiptare do të frymëzohet nga fryma e festimeve kombëtare, për të arritur zgjidhjen e çështjeve të mbetura, për të mirën e shqiptarëve. Ju duhet të jeni krenarë për historinë, pasi siç edhe unë e kuptoj, në të shkuarën baballarët që themeluan shtetin tuaj tejkaluan problemet fetare, politike dhe shumë ndarje që ekzistonin për një qëllim të përbashkët. Kjo shpresoj të shërbejë si diçka frymëzuse për sot.

TCH: Sipas jush, Shqipëria i ka plotësuar apo jo 12 rekomandimet e vendosura nga Komisioni Europian?

Carola Müller-Holtkemper: Shqipëria ka bërë një progres të madh, gjë e cila është reflektuar në progresraportin e Komisionit Europian, por natyrisht mbetet disa çështje të cilat janë detajuar në progresraport. Ne si gjermanë dhe disa partnerë të tjerë besojmë se progresi i arritur deri më tani në fushën e legjislacionit,  tashmë duhet të kthehet në zbatim, pra në praktikë. Janë disa fusha me shumë rëndësi për ne, si zbatimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Mendoj se është e mundur në realizimin e progresit të duhur.

TCH: Progresi i arritur deri më tani a besoni se është i mjaftueshën për të marrë statusin?

Carola Müller-Holtkemper: Është nënvizuar në raportin e Komisionit Europian, se disa çështje kërkojnë të realizohen krahas ligjeve që presin të miratohen. Më lejoni ta ritheksoj. Është koha për të zbatimin e tyre.

TCH: A e ka Gjermania tashmë një qëndrim të sajin pas rekomandimeve të 10 tetorit nga Komisioni Europian?

Carola Müller-Holtkemper: Natyrisht që Qeveria gjermane e ka pozicionin e saj. Për momentin jemi në negociata me partnerët tanë.Mund t’ju them vetëm se nga ana jonë premtimi për vendet e Ballkanit për t’ju bashkuar BE-së qëndron, siç edhe qëndroi në vitin 2000. Ne me projektet dhe vendosmërinë tonë, së bashku me partnerët tanë jemi në krah të Shqipërisë për të plotësuar të gjitha kushtet që kërkohen për t’u bërë vend anëtar. Është një proces bazuar në meritë.

TCH: Dhe nëse Shqipëria nuk të mund të arrijë t’i plotësojë kushtet e vendosura cili do të jetë qëndrimi i vendit tuaj?

Carola Müller-Holtkemper: Siç edhe e thashë, shqiptarët e kanë të mundur t’ja dalin mbarë. E kanë treguar këtë në të shkuarën, se janë në pozita perfekte për të tejkaluar probleme të komplikuara.

TCH:  A ekziston sadopak skepticizëm në Qeverinë gjermane për proceset integruese në Shqipëri, në një kohë kur Holanda e ka bërë të qartë pozicionin e saj, duke mos u kënaqur në përpjekjet e deritanishme të Shqipërisë në bërjen e detyrave të shtëpisë të lëna nga Komisioni Europian?

Carola Müller-Holtkemper: Janë disa detyra që ende s’janë realizuar nga Shqipëria. Por besoj se klasa politike do të mund t’i realizojë e frymëzuar nga festa e Pavarësisë, për të tejkaluar problemet në mënyrë që të plotësohen detyrat e parealizuara. Përsa i takon zbatimit të tyre mendoj se janë të gjitha kushtet perfekte në mënyrë që kjo të ndodhë.Nuk jam spektike që Shqipëria nëse do të ketë vullnet politik t’i realizojë ato.

TCH: Pra është korrekt të thuhet nëse mesazhi juaj përkthehet se s’ka integrimin pa implementim?

Carola Müller-Holtkemper: Po. S’ka integrim pa implementim.

TCH: Është raportuar në media, se Gjermania do të vendosë një kusht shtesë për marrjen e statusit zgjedhjet e 2013-s. A e konfirmoni një gjë të tillë?

Carola Müller-Holtkemper:
Duhet ta kuptoni se unë nuk komentoj për thashetheme apo informacionë që kanë rrjedhur nga burime të ndryshme.

TCH: Cila do të jetë e ardhmja e projektit për linjën e interkonjeksionit një financim i bankës KFW, në një kohë kur Ministria shqiptare e Financave refuzon të nënshkruajë marrveshjen?

Carola Müller-Holtkemper: Së fundmi, ne kemi marrë komente pozitive. Vijojmë të kemi kontakt me kompaninë e transmetimit OST dhe Ministrinë e Financave. Nga sinjalet që kemi marrë projekti përsëri do të vihet në binarët e duhur.

TCH: Kur mendoni se ky projekt do të finalizohet?

Carola Müller-Holtkemper: Mendoj se dokumentacioni përkatës duhet marrë shpejtësinë e duhur për të përfunduar. Përsa i përket ndërtimit të sistemit unë nuk jam inxhiniere për t’ju thënë se kur, pasi me të vërtetë është një sfidë më vete për vetë faktin e aspektit gjeologjik, terrenit malor, gjë për të cilën më duhet të konsultohem.

TCH: Nga korrespondenca mes bankës KFW dhe Ministrisë së Financave mbetet problematik edhe projekti energjetik për aksin e jugut. Të tilla probleme a kanë ndikim në marrëdhëniet Shqipëri-Gjermani?

Carola Müller-Holtkemper: Edhe për këtë kemi marrë disa sinjale pozitive. Raportet që kemi marrë janë në proces vlerësimi. Nuk kemi ende një panoramë të qartë për momentin. Përshtypja ime, përsëri edhe për këtë çështje është se jemi duke ecur në rrugë të mbarë, përpara.

TCH: A është e vërtetë se i keni dërguar një letër proteste Qeverisë shqiptare në lidhje me problemet që po ndeshet banka KFW?

Carola Müller-Holtkemper: Kjo nuk është mënyra se si ne punojmë.  Ne jemi në mënyrë të vazhdueshme në kontakt me Ministrinë e Jashtme, Ministrinë tonë të Financave,bankën KFW dhe të gjithë aktorët. Që të gjithë janë në dijeni për problemet eventuale. Siç edhe e thashë duket se shumë prej problemeve mund të zgjidhen në mënyrë që të kaqen të gjithë arta që janë përfshirë në këtë çështje.

Intervistoi: MUHAMED VELIU

Top Channel