“Çështja kombëtare në themel të PD”

30/11/2012 18:10

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se çështja kombëtare është në themel të programit të Partisë Demokratike, duke i zhvilluar edhe më shumë deklaratat e bëra gjatë festimeve të 100-vjetorit të Pavarësië, të cilat prodhuan reagime të ashpra në Athinë pas përmendjes së Prevezës.

“Këto 22 vite, të rejat dhe të rinjtë e vendit tim, duke përcjellë energji të pashtershme, guxim dhe trimëri, kanë qenë përcaktuesit e çdo fitoreje të veçantë të PD”, deklaroi Berisha.

Deklaratat Berisha i bëri gjatë ceremonisë së anëtarësimit të 400 të rinjve në njësinë numër 5 në kryeqytet. “Partia e të rinjve, që mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës, do themelohej si parti e interesit kombëtar. Ajo do shpallte programin e saj si yll polar çështjen kombëtare shqiptare”, tha Berisha.

Kryatari i PD shpalosi një retrospektivë të gjatë të rolit që patën të rinjtë në rrëzimin e komunizmit. Sot, tha Berisha, ëndrra europiane e shqiptarëve është 100 herë më e madhe krahasuar me 22 vite më parë.

Ndryshimet politike në vitin 1997 kryeministri Berisha i komentoi si largimin me dhunë të demokratëve nga pushteti, por theksoi se ishte vota e të rinjve ajo që 8 vite më pas i risolli demokratët në pushtet. Sipas tij, vota e të rinjve do të jetë vendimtare në zgjedhjet e 2013-ës. 

Reagon Rama

Kryetari i Partisë Socialiste ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Berisha në takimin që pati me të rinjtë e Partisë Demokratike.

“Sa gjynah ata të rinj që i kanë thirrur për endrrat (ç’kopjacë!) e u flasin për makthin që kanë ndaj opozitës (dmth ëndërr e vetme pushteti)”, thotë Rama duke vazhduar më pas se “të anëtarësosh të rinj në partinë që qeveris e t’u flasësh përçart kundër opozitës është shembull kuptimplotë për katandinë e politikës qeverisëse!”.

Top Channel