Botuesit zbrazin xhepat në Panairin e Librit

13/11/2012 00:00

Ndërkohë që të mërkurën hapet Panairi i Librit (14-18 nëntor), situata
mes botuesve zien. Shumica prej tyre janë të revoltuar për çmimet me të
cilat kanë paguar stendat. Edhe këtë vit, botuesit kanë qenë të detyruar
të paguajnë një çmim prej 70 euro për m2, e siç nuk ka ndodhur më parë,
kjo pagesë është bërë që prej muajit mars-prill 2012.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë në ftesën që u ka dërguar shtëpive botuesve, thekson se çmimet janë ato të një viti më parë. Ishte pikërisht në 2011-n rritja e çmimeve nga 70 mijë lekë për m2, në 70 euro. Botuesit kryesorë reaguan fort, duke u shprehur edhe se kreu i SHBSH-së, Petrit Ymeri, po e kthente Panairin e Librit në biznes.
E njëjta situatë është edhe sivjet. Botuesit janë tepër të pakënaqur, por duke e konsideruar ngjarjen më të rëndësishme të librit, janë detyruar të paguajnë. “Vjet pati një rritje me 40% të çmimit të stendave dhe po i njëjti çmim është edhe sivjet. Është shumë i lartë, por Panairi është ngjarja kryesore dhe kush merret me librin nuk mund ta evitojë dot”, shprehet botuesi i IDK-së, Piro Misha. Sipas tij, sivjet ata u dorëzuan, sepse pas një përpjekjeje të madhe të të ndjerit Ardian Klosi, nuk u mor asnjë përgjigje dhe nuk u bë transparente asgjë. Nga ana tjetër, barra që u bie botuesve duket se është edhe më e rëndë, kur organizatorët, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, pritet të kenë lehtësira të konsiderueshme për sa i përket sipërfaqes ekspozuese.

Ndërsa në konferencën e pak ditëve më parë, drejtuesi i SHBSH-së, Petrit Ymeri, u shpreh se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga Ministria e Kulturës, ndërsa nga Drejtoria e Librit deklarohet e kundërta. Sipas tyre, është bërë një projekt ku i propozohet qeverisë që të mbulohet 50% e hapësirës ekspozuese të Pallatit të Kongreseve, e cila, sipas z. Ymeri, këtë vit është mbi 200 m2.

Kjo do të thotë që organizatorët do të paguajnë vetëm gjysmën e shumës. “Edhe nëse qeveria nuk e miraton një vendim të tillë, Ministria e Kulturës do të ndërhyjë sërish për të krijuar lehtësira në hapësirat që nuk janë fitimprurëse, si hapësirat promovuese të librit dhe të vlerave të traditës në këtë 100-vjetor”, drejtor i Drejtorisë së Librit dhe Bibliotekave.

Në kushte të tilla, çmimi me të cilin botuesit kanë paguar stendat e tyre bëhet edhe më i pajustifikueshëm. Duke qenë se pagesa është bërë duke marrë në konsideratë qiranë e plotë, askush prej tyre nuk mendon se një pjesë e lekëve do t’u rimbursohet. Që prej vendosjes në krye të shoqatës, marrëdhëniet e Ymer Petritit me pjesën më të madhe të botuesve, kanë qenë shumë konfliktuale.

Shoqëria e Librit Shqip, e ngritur pas këtyre përplasjeve, tentoi drejt një panairi tjetër libri, por nuk mundi. Botuesit kanë hedhur vazhdimisht akuza për mungesë transparence në menaxhimin e fondeve dhe për ndarje preferenciale të hapësirave ekspozuese. “Panairi organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe ata kanë të drejtë të vendosin tarifat e të bëjnë ftesa. Nëse do, merr pjesë, nëse nuk mundesh, jo. Por kjo është një logjikë që funksionon në rastet e biznesit. Meqenëse këtu ka një aspekt kulturor dhe kemi një financim shtetëror, atëherë Ministria e Kulturës ka të drejtë të kërkojë llogari se ku shkojnë këto para. Nëse ndodh ulja që pretendohet në 50% të qirasë dhe ne kemi paguar për qiranë e plotë, po pjesa tjetër për çfarë përdoret?”, thekson botuesi Piro Misha. Ndërsa na ndajnë vetëm dy ditë nga çelja e Panairit të 15, vitet e fundit duket se kjo ngjarje e madhe e librit, ka marrë më shumë ngjyrat e biznesit, në një kohë kur kriza ka prekur veçanërisht librin e kur shumë botues po përballen me vështirësitë e mbijetesës në treg.

Gazeta “Shqip”

Top Channel