Tragjedia në Krujë, Dhëndri: Dyshoj për një vrasje

29/10/2012 00:00

Nusja 21-vjeçare Pashke Gega, e cila u helmua në ditën e saj të dasmës,
ende ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Mjekët thonë se ajo mund të
shpëtojë, por ende nuk bëjnë të qartë shkaqet e helmimit, që shkaktoi dy
viktima Mrika Gegën, nusja e xhaxhait të Gegës dhe Prenusha Prendin,
vjehrra e vëllait të nuses.

Familjarët e dasmorëve, janë shumë të paqartë për këtë situatë, duke hedhur alibinë se ata mund të jenë helmuar qëllimisht në dhomën në të cilën ato të trija po flinin. Dhëndri, Kreshnik Pula kërkon zbardhjen e ngjarjes nga organet e drejtësisë, sepse tragjedia që goditi familjen Gega, është shumë e mistershme dhe e dyshimtë. Pula hedh poshtë, idenë se dasmorët, mund të jenë helmuar nga ushqimi i restorantit.

Si ndodhi ngjarja?

Nuk e di se çfarë ka ndodhur realisht. Familjarët e Pashkës, më morën në telefon dhe më thanë që të shkoja në shtëpinë e tyre, sepse diçka e rëndë kishte ndodhur. Më thanë që nusja nuk ndihej mirë, por jo që situata kishte arritur deri në këtë pikë. Kur mbërrita atje, pashë një tmerr me sy. Mrika Gega, 45 vjeçe, e cila është nusja e xhaxhait të nuses sime dhe Prenusha Prendi 55 vjeçe, vjehrra e nuses së vëllait të Pashkës, së bashku me këtë të fundit ishin në gjendje të rëndë. Nuk humbëm kohë dhe i nisëm direkt drejt Tiranës. Kam që në orën 6:00 të mëngjesit që pres pas derës së spitalit, për të marrë një lajm nga mjeku.


Dyshoni se janë helmuar me ushqim, në restorantin që u bë dasma?

Nuk dyshoj aspak te lokali, ku u bë ceremonia e dasmës. Të gjithë dasmorët në të njëjtin vend hëngrën dhe nuk patën asnjë problem me organizmin. Asnjë nga dasmorët e tjerë nuk është helmuar.

Ç’do të thuash?

Nusja ime ka fjetur në dhomën e saj së bashku me Mrikën dhe Prenushën. Fakti që janë helmuar të njëjtët persona që ishin në të njëjtën dhomë, bën të dyshosh se vrasja e tyre mund të jetë bërë qëllimisht. Ajo që ka ndodhur në atë dhomë, mbetet mister dhe këtë e dinë vetëm ato të tria. Nuk di çfarë të them realisht dhe nuk mund të vë gishtin tek askush, por edhe policia duhet të bëjë punën e saj, për të zbardhur ngjarjen. Dasma e Pashkës u kthye në mort, duke shënuar dy viktima dhe jeta e saj është ende në rrezik. Nuk mund të kalojë kaq lehtë kjo gjë. Jam shumë i tronditur.

Kush i gjeti viktimat?

Në mëngjes, vëllai i nuses, Alfred Gega, shkon tek e motra dhe shikon që të tria ishin në gjendje të rëndë. Më keq ka qenë Mrika dhe e vjehrra e tij, Prenushja. Ato ishin mbuluar me djersë, kishin vjellë, ishin të pafuqishme dhe pothuajse në gjendje të fikëti. I nisëm direkt për në spitalin e Tiranës. Ato të dyja nuk mundën që të jetonin dhe vdiqën rrugës. Ndërsa nusja ime, ende nuk ka dalë nga rreziku për jetën. Alfredi është shumë i tronditur, për atë që ka parë në dhomë dhe se vajza e xhaxhait së bashku me vjehrrën, vdiqën. Ndërsa shëndeti i motrës e shqetëson tej mase.

Ç’thonë familjarët e viktimave?

Të gjithë kanë mbetur të shokuar nga kjo ngjarje. Dita më e bukur e jetës së Pashkës, u kthye në ditë zie. Edhe ata dyshojnë që helmimi, them helmimi sepse akoma nuk e dimë se çfarë është në të vërtetë, është i qëllimshëm. Ideja e një asfiksie në dhomë, bie poshtë sepse Fredi thotë që në dhomën ku po flinin viktimat, nuk ka pasur pajisje për ngrohje. Dua të theksoj se diçka e mistershme, ka ndodhur mbrëmë në dhomën ku po flinin ato.

E keni takuar nusen?

Ajo ndodhet në reanimacion dhe mjekët nuk ka kanë lënë që të futemi brenda. Na thonë se do të shpëtojë dhe se është më mirë, por po s’e pashë me sytë e mi, nuk e heq dot merakun. Kam shumë frikë, sepse dy persona humbën jetën. Që prej orës 6:00 të mëngjesit presim pas dere. Jemi të gjithë të shqetësuar dhe me zemër të ngrirë se ç’bëhet pas asaj dere të spitalit. Dyshoj se mjekët po përpiqen që të na qetësojnë.

Polica ka shkuar në banesë?

Menjëherë pas ngjarjes polica shkoi te shtëpia e nuses. Mori deklaratat e familjarëve. Bëri kontroll në dhomën e tyre, duke mbledhur prova, por deri më tani nuk ka ndonjë ide të qartë se çfarë ka ndodhur.

Vutë re ndonjë shqetësim nga nusja, natën e dasmës?

Jo asgjë. Ishte shumë e lumtur, sepse ishte veshur me të bardha dhe këtë ditë mezi po e priste. Sonte do të kurorëzonim martesën tonë, por ngjarja e rëndë që ndodhi anuloi gjithçka. Me padurim, po prisja që Pashka të hynte në shtëpinë time përgjithmonë. Shpresoj shumë që kjo të realizohet, por e di që ajo do të jetë shumë e mërzitur për atë që ka ngjarë. Deri më tani, askush nuk ka mundur që t’ia thotë, por edhe nëse pyet për ato, ne nuk mund t’ia themi, sepse do ta përjetonte shumë keq, sidomos në gjendjen shëndetësore që ajo ndodhet.

Cfarë kërkon?

Çfarë kërkoj? Nuk di çfarë të them, çfarë të mendoj. Jam shumë i turbulluar, sepse në ditën më të bukur të jetës sime, humba shumë. Dasma m’u kthye në mort dhe nusja, po rrezikon jetën. Ka 20 orë që ndodhet në reanimacion dhe mjekët ende nuk e kanë të qartë se, çfarë është ajo që e çoi Pashkën dhe dy të tjerat në këtë gjendje. I kërkoj policisë që të hetojë ngjarjen, sepse dyshoj që është e qëllimshme. Kurrsesi nuk është helmimi nga ushqimi i lokalit

 Krujë, vdesin dy dasmore, nusja në gjendje të rëndë

Ishin ftuar për gëzim, po humbën jetën të helmuara. Ngjarja e rëndë ka
ndodhur mëngjesin e të dielës në fshatin Dukagjin i Ri të Thumanës në
rrethin e Krujës dhe policia po punon për zbardhjen e plotë të
rrethanave dhe shkaqeve. 

Paraprakisht mësohet se Mrika Gega, 45 vjeçe, nga fshati Dukagjin dhe Nusha Ndoja, 55 vjeçe me banim në Pukë, kanë qenë në një dasmë. Ato kanë fjetur në një dhomë bashkë me nusen, 21-vjeçaren Pashke Gega. Mëngjesin e të dielës, familjarët e kanë gjetur nusen dhe dy gratë që ndodheshin në dhomë, në gjendje të rëndë. Tre gratë janë dërguar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, por megjithë përpjekjet e mjekëve dy gratë kanë humbur jetën, ndërsa 21-vjeçarja që do vishte fustanin e nusërisë ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe po vijon këqyrjen e vendit të ngjarjes pranë banesës, lokalit ku u zhvillua darka, si dhe pyetjen e personave që kanë dijeni mbi rrethanat e hetimit. Helmimi nga ushqimi paraprakisht është përjashtuar, pasi dasmorët e tjerë nuk kanë shfaqur probleme. Një pistë hetimi është dhe ajo e një helmimi të qëllimshëm për të ndërprerë dasmën në familjen Gega. Priten konkluzionet e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së dy grave.


Gazeta “Shqip”

Top Channel