Ndreca: Me Berishën na ndan Haga

16/10/2012 19:35

Duke shtrënguar buzët nga dhembja e plagëve, Gjergj Ndreca, një prej dy grevistëve të urisë që i vuri flakën vetes në shenjë proteste, u përgjigjet deklaratave të kryeministrit Berisha.

“Le të dalë kryeministri dhe të pyesë të gjithë qytetarët në Tiranë, nëse më kanë parë duke luajtur bixhoz. Është  Berisha ai që luan kumar, po luan kumar me fatet e kombit”, deklaroi Ndreca.

Përsa i përket epiteteve me të cilat më karakterizoi kryeministri shqiptar, fjalën e ka drejtësia – ka thënë Ndreca, që ka dalë sot nga salla e reanimacionit dhe kurohet në një prej dhomave të spitalit “Papanikolau” të Selanikut.

“Për këto gjëra, me Berishën do të ballafaqohemi në Hagë. Atje duhet të ballafaqohemi sepse më ka marrë në  mbrojtje Kongresi Amerikan dhe Parlamenti Europian. Por, kërkoj nga çdo shqiptar të më sigurohet familja sepse një kriminel që ka vrarë 22 vjet vret prapë”, shtoi ish-i përndjekuri nga shtrati i tij i spitalit.

Për Ndrecën, përpjekja për të gjetur të drejtën nuk ka mbaruar dhe megjithëse larg, ndodhet pranë shokëve të tij grevistë me mendje e me shprit, ndërsa falenderon gjithë Shqipërinë për mbështetjen dhe solidarizimin.

“U çoj mesazhe të përzemërta të gjithë bashkëvuajtësve të mi, me lot në sy sa të bëhem më mirë do të jem prapë pranë tyre. Me amanet dua të vdes në Shqipëri. Unë nuk jam një hero, unë  jam një  ushtar mes ushtarë ve, dua vetë m të  bë j detyrë n time”, shtoi Ndreca.

Pasi falenderon mjekët e spitalit dhe gjithë ata që ndihmuan në mjekimin e tij, Gjergj Ndreca ka kujtuar se ajo çka duhet të karakterizojë kryeministrin e një vendi është humanizmi dhe jo tradhëtia ndaj bashkëqytetarëve të tij, ndërsa komentoi: “Mjekët në Greqi janë habitur me faktin se jam shqiptar. Ata më thonë që kryeministri ynë është aq human, sa që u ka falur detin”.

Ndërkohë, dhjetëra emigrantë nga Selaniku dhe zonat përreth vazhdojnë të vijnë në spitalin ku Ndreca kurohet, duke i dhënë mbështetje shpirtërore, psikologjike dhe humane në përpjekjen e tij”

Top Channel