Radioja që të shoqëron në makinë

15/10/2012 00:00

Drejtuesit e automjeteve në Shqipëri, të cilët dëgjojnë radion gjatë udhëtimit të tyre, preferojnë të ndjekin më shumë ato stacione radiofonike që kanë emisione dhe rubrika të qëndrueshme.

Ka qenë ky konkluzioni i një studimi të kryer në 5 qarqet më të rëndësishme në vend. Sipas autorit të tij, gazetarit Arben Muka, në të gjitha këto rrethe, si më e dëgjuara kryeson Top Albania Radio. Emisioni më i ndjekur ka qenë “Wake Up”, në 4 nga 5 qarqet ku është bërë studimi.  

“Kjo përzgjedhje lidhet shumë me programet e qëndrueshme. Si kampion janë marrë drejtues të automjeteve. Rezulton që Top Albania Radio është më i preferuari”, shprehet gazetari.

Zoti Muka ka pohuar gjithashtu se makina është vendi ku dëgjohet më tepër radioja në ditët e sotme: “Dëgjueshmëria në makina është më e lartë dhe kjo gjë duhet marrë në konsideratë nga redaksitë sepse nga burime zyrtare sot në Shqipëri janë më shumë se 300 mijë automjete të regjistruara.”

Studimi i kryer në Tiranë, Korçë, Shkodër, Vlorë e Elbasan, është bazuar në të dhënat e Ministrisë së Transportit dhe Punëve Publike dhe është fokusuar në mbledhjen e informacionit nga një target-grup i përbërë prej njerëzish të prejardhjeve, profesioneve, moshave dhe gjinive të ndryshme, në mënyrë që të jetë sa më përfaqësues.

Top Channel