“Kjo nuk është grevë politike”

05/10/2012 00:00

Deputetë të Partisë Socialiste kanë vizituar gjatë paradites së të premtes grevistët e urisë. Me pankarta në duar për disa minuta ata bllokuan edhe hyrjen e rrugës kryesore të lagjes Komuna e Parisit duke i kërkuar të gjithëve solidarizim me këtë shtresë të shoqërisë.

Një ditë më parë kryeministri Berisha kishte akuzuar ashpër grevistët e urisë, cka duket ka shtuar dozat e zemërimit tek ish të përndjekurit. Akuzat e kryeministrit për një grevë politike një ditë më pas vazhdojnë të mbajnë të nxehta mendjet dhe shpirtërat e grevistëve.

Deputët e Partisë Socialiste shprehën solidarizimin me ta dhe i kërkuan qeverisë zgjidhje për këtë shtresë të shoqërisë.

“Saliu dje ju tha fundrrina, tha që kjo është grevë politike e kështu me radhë. Kjo nuk ka vend për politizim, është një e drejtë që u takon me të gjitha arsyet njerëzore”, deklaroi deputeti socialist, Saimir Tahiri.

Më herët një mbështetje për këtë shtresë të shoqërisë ka dhënë edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani.

“Pavarësisht trajtimit që do t’i bëjë zyra jonë kërkesave të tyre, ajo që është më e rëndësishme është që institucionet shtetërore duhet me patjetër të fillojnë një fazë dialogu diskutimi dhe negociimi me të gjithë ata persona që janë në grevë urie. Ata janë qytetarë shqiptarë, kanë kërkesat e tyre dhe me ta duhet negociuar”, tha avokati Totozani.

Edhe gjatë ditës së 14-të të grevës së urisë, dy prej grevistëve janë shoqëruar për të marrë ndërhyrje mjekësore në spitalin Nënë Tereza në Tiranë.

Top Channel