Blerjen e një pajisjeje për përgjime ambientale nga Ministria e
Mbrojtjes, për llogari  SHIU-t  me vlerë mbi 1,5 milionë euro,  Partia
Socialiste e ka cilësuar si një veprimtari te jashtëligjshme.

Nënkryetari grupit parlamentar të PS-së Erjon Braçe i drejtoi disa pyetje Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Mbrojtjes Arben Imami për blerjen e kësaj pajisjeje.

“Dje Sali Berisha foli për akuzat e opozitës për përgjim të paligjshëm kryer nga SHIU.Tha se nuk ka asnjë provë për këtë.E sfidoj dhe po e pyes:A është i klasifikuar urdhri nr 146 datë 3 shkurt 2011 i firmosur nga Ministri Imami që shpenzon 1. 589. 400 euro për blerje paisje interceptimi? Cilën kategori të klasifikimit ka, tepër sekret, sekret, konfidencial, i kufizuar? Pse është blerë kjo paisje në 3 shkurt 2011 fill pas 21 janarit? Ku është kjo paisje? Kush e ka përdorur dhe për çqëllime? A ka dalë ndonjëherë jashtë Shqipërisë? A ka vënë në djeni NATO-n ministri Imami për blerjen dhe qëllimet e përdorimit të kësaj pajisje? Të vimë tek detyrimet ligjore. A e ka vënë në djeni Prokurorin e Përgjithshëm ministri Imami për blerjen e kësaj paisje- siç kërkon ligji për SHIU-n?  Të gjitha pyetjet e kanë përgjigjen! !!Nuk pres përgjigje nga Arben Imami dhe drejtuesi i SHIU-t. PS, gjithë opozita dhe çdo shqiptar pret përgjigje nga autoritetet që ngarkon ligji me detyrimin e procedimit të menjëhershëm penal ndaj zyrtarëve përgjegjës”, tha Braçe.

Braçe i ka dhënë përgjigje akuzave të kryeministrit Berisha i cili tha se opozita me këto denoncime është duke denigruar Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtarakët shqiptarë.

Sipas tij të gjitha deklarimet e bëra në 10 ditë nga Partia Socialiste janë në përmbushje të detyrës kushtetuese të çdo ligjvënësi dhe që ka objekt kontrollin parlamentar mbi ekzekutivin. Sipas Braçes, Kryeministri gënjeu kur tha se ai ka publikuar dokumente të klasifikuar “top sekret” dhe “sekret” pasi dokumentet që ai ka në dispozicion s’janë të tilla. Për Berishën, tha Braçe, Mali i Zi është shumë më tepër se sa nje vend mik. “E ka dëshmuar këtë qysh nga koha kur thyente embargon e OKB e duke favorizuar makinën e luftës së Millosheviçit” theksoi Erjon Braçe.

Deklarimet e Kryeministrit Berisha gjatë konferencës për shtyp pasditen e së enjtes , sipas Erjon Braçes janë një kërcënim i hapur.

“Dje Sali Berisha me kërcënoi personalisht, politikisht, me burg. Unë jam kundërshtar politik i Sali Berishës. Sali Berisha të tillët si unë i burgos dhe i vret. Vetëm këtë di të bëjë. S’di gjë tjetër. Nuk ka asnjë mënyrë të ballafaqimit demokratik me kundërshtarin veç kësaj. Nuk e do lirinë e kundërshtarit, lirinë për të folur, për t’u shprehur, për të konkuruar, për t’u ballafaquar, lirinë për t’u kontrolluar demokratikisht nga kundërshtari. Si kudo në vende demokratike. Prandaj ne nuk jetojmë në një Republikë demokratike normale por në një regjim ku kryeministri sundon, dhunon, kërcënon, i mbyll gojën kundërshtarit për të vërteta jetike ose duke e burgosur, ose duke e vrarë. PS, deputetet, unë dhe kolegët e mi, populli opozitar do t’i rri përballë pavarësisht dhunës së tij”, tha Braçe.

Top Channel