Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, gjatë një takimi me grevistët e urisë, u shpreh se problemi duhet të gjejë zgjidhje të menjëhershme.

Por, ai i ka këshilluar ata të heqin dorë nga mënyra se si po e kërkojnë të drejtën e tyre dhe se greva e urisë është e dhimbshme.

Nga ana e tyre, në dialog me ambasadorin e BE-së, vetë ish-të burgosurit politikë shprehën kërkesat ndaj qeverisë dhe nuk pranuan të dalin nga kjo grevë urie deri në plotësimin e tyre. Për këtë ata i kërkuan ndihmë edhe vetë ambasadorit.

“Kam lexuar çfarë ka ndodhur për 50 vjet në Shqipëri dhe vetëm mund të imagjinoj çfarë keni kaluar ju. Unë mendoj se ky problem duhet të zgjidhet, por greva nuk është e mirë dhe besoj se duhet të ketë një tjetër zgjidhje”, deklaroi Sequi duke iu drejtuar grevistëve.

“Nga ligjet që ka nxjerrë Sali Berisha unë nuk kam përfituar ende asnjë lek”, shprehet një grevist.

Ndërkohë që ambulanca nuk ka qenë në dispozicion të këtyre grevistëve dhe aq më pak ruajtja e saj me forca të policisë.

Gjendja e grevistëve të urisë është përkeqësuar, ndërkohë që njëri prej tyre u detyrua ta lërë grevën për tu shtruar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Top Channel