Burg pa afat “masakruesit” të gruas

23/09/2012 11:10

Gjykata e Korçës vendosi masën e burgut pa afat, ndaj 28-vjeçarit Romeo Babani, i cili tentoi të vriste bashkëshorten e tij.

Eriselda Elmazi ndodhet duke luftuar për jetën, në gjendje kritike në spitalin e Korçës, pasi një javë më parë u gjet e hedhur në koshat e mbeturinave në fund të jetës, nga disa kalimtarë të rastit.

Nëna e dy fëmijëve ishte goditur më parë nga bashkëshorti me thikë dhe tullë në kokë, përpara se të hidhej në mbeturina, pranë shtëpisë së prindërve të saj.

Ngjarja shokoi qytetin e Korçës dhe familjarët e 26-vjeçares Elmazi, të cilët në ditët pas ngjarjes, e kishin të vështirë të vizitonin të bijën e tyre në spital nga frika e vazhdimit të një hakmarrje ndaj tyre apo fëmijëve të përbashkët prej Babanit.

Megjithatë, arrestimi i tij u bë i mundur brenda disa ditësh nga forcat e rendit.

Në seancën gjyqësore për njohjen e masës së izolimit, shtetasi Babani u shpreh se “nuk e mbante mend” se çfarë kishte ndodhur, rrjedhimisht nuk pranoi autorësinë e krimit.

Sipas prokurorisë, provat kundër 28-vjeçarit janë “të palëkundshme”.  

Arsyet e dhunimit brutal të bashkëshortes besohet se janë motive xhelozie, ndërsa sipas familjarëve, Eriselda vuante prej kohësh dhunën bashkëshortore.

Fatkeqësisht, sipas mjekëve, shanset e së resë për të mbijetuar janë minimale për shkak të plagëve të shumta dhe të thella që ka marrë.

Top Channel