Mbijetesa e vështirë pa këmbë

16/09/2012 17:40

Asqeri Jaupi është i vetmi këpucar në qytezën e Maliqit. Ai njihet jo vetëm nga profesioni por edhe për historinë e tij të vecantë.

Punën e këpucarit është detyruar që ta kryejë për shkak të kufizimeve fizike që ai ka që në foshnjëri. Mbi supet e tij rëndon një dramë e thellë. Asnjëherë ai nuk ka mundur të cohet në këmbë, nuk mundi ta provojë ndjesinë e të ecurit.

Prej 60 vitesh Asqeriu cdo lëvizje e kryen me duar pasi këmbët i ka humbur si pasojë e një sëmundje kur ai ishte vetëm 7 muajsh.

Edhe pse pa kembe ai nuk kursehet së shërbyeri për këmbët e të tjerëve. Në qytezen e vogël të gjithë e thërrasin Keli dhe prej plot 35 vitesh i drejtohen këpucarisë së tij. Një ndërtesë e vogël e cila nuk e fsheh amortizimin është vendi i punës së Kelit i cili tregon se me këtë profesion arrin të mbijetojë me vështirësi.

“Të ardhurat time sigurohen, 100 mijë këtu dhe 80 mijë marr përkrahje, ndihmë ekonomike. Do sigurosh lëndën dhe për vete më mbeten 50 mijë lekë. Ju lutem shumë të më ndihmoni, të më jepni krahë, pasi e ndjej veten shumë keq”, thotë Asqeriu.

Deri pak vite më parë Keli jetonte me dy prindërit e moshuar dhe pensionet e tyre por pas vdekjes ai ndodhet i vetmuar dhe në një gjendje të vështirë ekonomike.

Përpjekjet për të mbijetuar janë duke u vështirësuar edhe më shumë pasi me aq pak fitime sa nxjerr duke punuar gjithë ditën duhet të sigurojë edhe materialet e domosdoshme për riparimin e këpucëve, një kosto shtesë që e detyron atë t’i ndajë ato pak fitime mes zgjedhjes për ushqim dhe lëndës që duhet të blejë për të vazhduar punën.

Top Channel