Delvina në krizë ekonomike, rritet papunësia

05/09/2012 00:00

Delvina një prej kryeqendrave qytetare të mesjetës së vonë sot ruan pak gjurmë të shkëlqimit të dikurshëm.
Bizneset po zhvendosen drejt qendrave më  të mëdha urbane. Banorët
jetojnë kryesisht falë emigracionit, ndërsa papunësia gjatë 3 viteve të
fundit është dyfishuar.

Evlija Celebiu gjatë udhëtimit në Shqipërinë e Jugut rreth vitit 1670 përshkruan se në Delvinë gjendeshin 80 dyqane, 3 shkolla, 10 çesma, 3 teqe, 1 hamam dhe 3 hane.

Qyteti me 15 mijë banorë ofron shumë pak mundësi punësimi. Sipas kreut të bashkisë Dhurim Alinani zhvendosja e disa rrobaqepsive drejt qendrave më të mëdha urbane ka rritur mjaft papunësinë. Statistikat zyrtare flasin për dyfishim të të papunëve gjatë të paktën 3 viteve të fundit.

Delvina jeton sot me të ardhura prej emigracionit ku ende gjendet rreth 40% e popullsisë, ndërsa profesionistët e lirë, elektricistë , hidraulikë, ndërtues udhëtojnë cdo ditë drejt Sarandës ku ende ndërtohet dhe mund të gjejnë një punë.  Kreu i bashkisë thotë se bashkia do të ofrojë godina të lira publike për të nxitur vendosjen e bizneseve pa qera si të vetmen mundësi për të afruar investimet në qytet. Njëherazi qyteti është në pritje të finalizimit të kontratave për shfrytëzimin e gazit natyror brenda territorit të tij që përvec punësimit të mundshëm do të siguronte të ardhurave falë pagesës së rentës minerare.

Banorët jetojnë me vështirësi të mëdha ekonomike. Disa punishte bulmeti, vaji apo produktesh ushqimore përfaqësojnë më së shumti biznese familjare dhe kanë shumë pak të punësuar. Bizneset e vogla të tregëtimit të ushqimeve në këtë qytet flasin për më pak para prej emigrantëve dhe për rënie të fuqisë blerëse të banorëve.

Të tjerë banorë të Delvinës po jetojnë vetëm falë kultivimit të tokave dhe të ardhurave prej blektorisë,por shume larg tregjeve për shitjen e tyre. Bashkia e qytetit trajton me përkrahje sociale 193 familje ndërsa numri i kërkesave është shumë më i lartë.

Top Channel