“Imuniteti nuk zgjidh korrupsionin”

03/08/2012 00:00

Një propagandë bajate, e iniciuar nga kryeministri Berisha. Kështu e ka
cilësuar PS debatin për çështjen e shumëpërfolur, siç është ajo e
imuniteteve.

Ditmir Bushati, kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian u shpreh para mediave se “çështja e imunitetit po shpërdorohet në funksion të nevojave të politikës së ditës, duke maskuar në të njëjtën kohë problemet e mprehta ekonomike e sociale me të cilat përballet jeta e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi”.

“Kufizimi i imunitetit në asnjë rrethanë nuk mund të barazohet me përmbushjen e detyrimeve që ka vendi ynë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për Sali Berishën kufizimi i imunitetit është një veprim ligjor që barazohet automatikisht me shembjen e murit të korrupsionit. Për ne, kufizimi i imunitetit është veçse pikënisja që duhet të shoqërohet me masa të qarta antikorrupsion, për sa i përket kontrollit mbi kompanitë shtetërore ku shteti është aksioner, adresimin e konfliktit të interesit, kuadrin normativ në fushën e prokurimeve publike dhe të të gjithë sektorëve që vuajnë nga metastazat e korrupsionit, si: tatimet, doganat, sistemi shkollor, shëndetësor”, tha Bushati.

Zoti Bushati ka shpjeguar qasjen që ka Partia Socialiste në lidhje me imunitetet përballë ngutjes së mazhorancës në votimin me çdo kusht të ndryshimeve kushtetuese me datë 6 gusht.

“Ne socialistët, kemi qënë nismëtarët për kufizimin e imunitetit në rrugë kushtetuese, cka shquhej qartë edhe në citimet e djeshme të Ministres së Integrimit Europian. Ndaj, kemi votuar pro, në parim e nen për nen, ndryshimet e propozuara. Por, meqënëse jemi duke ndërhyrë në Kushtetutë, kemi propozuar edhe një sërë reformash të tjera, që gjithashtu kërkojnë ndryshime kushtetuese, për të garantuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë, crrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe luftën kundër korrupsionit. Qëndrimet janë shumë të qarta: Nga njëra anë është qeveria shqiptare që kërkon të imponojë me forcë një datë për të kryer një votim të rëndësishëm, por që nuk adreson në themel problemet e korrupsionit endemik dhe shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët e lartë. E nga ana tjetër, jemi ne, që jo vetëm kemi votuar pro për kufizimin e imunitetit, por që propozojmë edhe disa ndryshime të tjera kushtetuese në mënyrë që drejtësia të mos jetë më një mall i shtrenjtë që blihet në treg”, tha Bushati.
 
Sipas Ditmir Bushatit parlamenti shqiptar i ka të gjithë mundësinë që krahas ndryshimeve kushtetuese që kufizojnë imunitetin, të votojë njëherazi edhe ato ndryshime kushtetuese që lidhen me emërimet në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

Top Channel