CEZ aksion ndaj debitorëve

25/07/2012 00:00

Kompania e Shpërndarjes së Energjisë CEZ ka nisur aksionin në të gjithë
territorin e Shqipërisë për ndëshkimin e qytetarëve, që nuk paguajnë
energjinë elektrike.

Deri më tani zonat më problematike, me shuma të konsiderueshme të debisë ndaj kësaj kompanie janë Kukësi, Saranda, Lezha, Fushë-Kruja, si dhe mjaft zona informale në afërsi të Tiranës. Ndaj të gjithë këtyre klientëve janë marrë masat për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike, deri në shlyerjen e detyrimeve që kanë ndaj CEZ.

“Në Kukës ka kabina që janë 100 për qind debitorë dhe për cdo kabinë, vlera arrin deri 22 milionë lekë. Kemi zona në Sarandë ku janë debitorë dhe ka blera e debisë është rreth 3 milionë lekë. Kemi zona në Lezhë, sidomos në fshatin Manati, ku debia arrin rreth 5 milionë lekë. Mund të përmend edhe zona të tjera që kanë qenë më problematike, si zona Nikël në Fushë-Krujë. Në këto zona është prerë energjia dhe e vetmja mënyrë për të bërë rilidhjen është pagesa e energjisë”, tha Admirim Lakra, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes.

Gjatë këtij aksioni është vërejtur në masë edhe fenomeni i lidhjeve të paligjshme. CEZ thotë se vetëm gjatë vitit 2012, rezultojnë rreth 1700 raste të tilla të cilat janë dërguar për ndjekje penale. Kompania CEZ ka kërkuar ndihmën e autoriteteve lokale dhe forcave të rendit, pasi në disa komuna ka patur edhe konflikte si në rastin e fshatit Murs, në Sarandë ku banorët për më shumë se dy orë kanë mbajtur të bllokuar punonjësit e kompanisë duke mos i lejuar të kryejnë punën e tyre. Një tjetër rast ka qenë ai i komunës Kolsh në Lezhë, ku pas ndërprerjes së energjisë, banorët kanë rilidhur kabinën me rrjetin shpërndarës duke detyruar CEZ të stakojë energjinë për të gjithë zonën.   

Top Channel