Reforma, Wollfarth takon Ramën

09/07/2012 00:00

Kur kanë mbetur edhe 3 ditë kohë në dispozicion të Komisionit të Reformës Zgjedhore për të realizuar reformimin e Kodit Elektoral,
ambasadori OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth është takuar me kreun e PS-së Edi Rama, për më shumë se 60 minuta.

“Qëllimi i takimit me kreun e opozitës Edi Rama lidhet me ecurinë e refomave në përgjithësi, ku u përqëndruam në reformën e Kodit Zgjedhor, për të cilin janë duke u bërë përpjekje të rëndësishme. Reforma e Kodit Zgjedhor pret të shikojë një finalizim. Mbeten ende çështje të rëndësishme që janë të hapura dhe presin një zgjidhje. Ajo që është më e rëndësishme në mënyrë të veçantë është transparenca në mënyrë që votuesve t’u jepet transparencë e mjaftueshme dhe maksimale, që ata të kenë besim se vota e tyre numërohet dhe ka rëndësi.Gjithashtu merr një rëndësi të vecantë që të ekzistojë një besim i plotë tek organi i KQZ-së. Eshtë një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme që ka nevojë për një zgjidhje”, tha Wollfarth.

Rekomandimi i tretë i OSBE-ODIHR pas zgjedhjeve lokale të 8 Majit 2011 thotë se “formula e kompozimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve mund të rikonsiderohet për të rritur konfidencën e pavarsisë dhe paanësinë në aplikimin e Kodit Zgjedhor.

Top Channel e pyeti kreun e OSBE nëse ai mbështet një prej propozimeve të PS që lidhet me rikompozimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Kjo ishte përgjigja.

“Siç e thashë edhe më herët duhet të arrihet në një zgjidhje që të vlejë për të ardhmen. Një zgjidhje që mund të përfshijë ndoshta edhe këtë sugjerim. Mbetet tërësisht një cështje që kërkon zgjidhje nga partitë politike, të cilat duhet të mbërrinë në një zgjidhje të përbashkët. Mandati i KQZ-së aktuale do të përfundojë përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Eshtë momenti për një zgjidhje që t’i shërbejë të ardhmes”, tha Wollfarth.

Ambasadori Wollfarth u shpreh kundër një shtyrje të afatit për të arritur një konsensus mes forcave politike, i fiksuar tashmë më 12 korrik.

Një ditë më parë në një intervistë për Top Channel, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi u shpreh me tone kritike për rolin e OSBE kur deklaroi se “ky mision ka ndërmarrë disa prapaskena dhe se nuk është në krahun e shqiptarëve.

Top Channel