Milo-Koçi: Berisha po e shkatërron reformën

05/07/2012 00:00

Kur ka mbetur edhe një javë kohë nga përfundimi mandatit të tretë të
Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, dy prej aleatëve të
koalicionit të majtë, kryetari Partisë Demokracia Socialiste, Paskal
Milo dhe Petro Koçi kryetar i PSV 91, krahas përshëndetjes së qëndrimeve
të deritanishme të Edi Ramës, kërkojnë vijimin e përpjekjeve  të
unifikuara të opozitës për këtë çështje.

“PS duhet patjetër që së shpejti të mbledhë të gjithë aleatët e vet, t’u parashtrojë situatën në të cilën ndodhet procesi reformës zgjedhore dhe të marrë një vendim, i cili duhet të jetë i konsultuar gjerësisht me qëllim që të funksionojë që këtej e tutje, se kemi hyrë në vitin elektoral, si një front i bashkuar, ku jo vetëm të diskutohet dhe të vendoset së bashku, por edhe të punohet dhe luftohet dhe punohet së bashku”, tha Milo.

“Patjetër që kërkohet një qëndirm i unifikuar i opozitës,përballë kësaj situate, kur kemi një Kushtetutë, një Kod Zgjedhor dhe një rregullore ligj parlamenti, të cilat së bashku nuk shërbejnë për bërjen por për kapjen e shtetit. Për sa i përket reformës zgjedhore ne e kemi unifikuar në fillim të procesit qëndrimin mbi katër shtylla, por në vijim disa objektiva nuk janë arritur. Kështu le të shpresojmë që objektivat fundorë, që janë në fazën përmyllëse të kësaj reforme, të arrihen në procesin parlamentar përkatës”, tha Koçi.

Për momentin, Milo dhe Koçi nuk japin një përgjigje të prerë, kur u pyetën se çfarë qëndrimi do t’i duhet të mbajë opozita, nëse nuk do të arrihet në reformin e kodit aktual zgjedhor.

“Besoj që përgjigja nuk mund të jepet tani. Gjithsesi unë gjykoj se nëse nuk arrihen objektivat e ndryshimit të Kodit Zgjedhor atëherë do të jetë shumë e vështirë që Shqipëria të arrijë objektivat e arritjes për të qënë një vend evropian i merituar”, tha Koçi.

“Opozita shqiptare duhet që tani të përgatitet për më të keqen e mundshme sepse kemi përballë një kundërshtar politik, i cili qëllimisht po e vonon reformën zgjedhore për të kapur kufinjtë maksimal, ku ajo mund të bëj diçka. Kemi të bëjmë me një kundërshtar politik i cili është pa skrupuj kur vjen fjala për pushtetin dhe që do të bëjë çmos që të ruaj avantazhet që ka fituar nga ndryshimet e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor të 2008-tës. Prandaj opozita duhet të krijojë një front unik”, tha Milo.

Top Channel