Fyle: Tik-tak i orës po dëgjohet

29/06/2012 00:00

Pas konferencës ndër-qeveritare që shënoi çeljen zyrtare të negociatave BE-Mal i Zi në Bruksel, Komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle reagoi edhe për zhvillimet në Shqipëri. I pyetur nga TCH se sa u përmbushën pritshmëritë e BEsë me zgjedhjen e Presidentit dhe se a pret që vendi do t’i kryejë më shpejt reformat, Fyle u përgjigj.

Stefan Fule, Komisioneri europian për zgjerimin e BEsë: Zgjedhjet presidenciale i takojnë të kaluarës. Tani kemi një president që e kemi përgëzuar, e respektojmë dhe me të cilin jemi gati të punojmë. Keni të drejtë kur na kujtoni të gjithëve ne se Shqipëria ka një axhendë ambicioze në lidhje me BEnë. Unë shpresoj se Presidenti dhe të gjitha forcat politike do të mobilizojnë përpjekjet e tyre për të përmbushur prioritetet kyçe, dhe në veçanti listën e rezultateve të pritshme. Tik taku i orës po dëgjohet dhe detyrat janë sfiduese. Por unë e përmend Shqipërinë me të gjithë besimin se forcat politike dhe qytetatët shqiptarë do të japin rezultate. Nuk mendoj se do të jetë mirë për Shqipërinë dhe as për gjithë rajonin nëse humbet edhe një vit tjetër. Prandaj po pres me shpresë progresin për prioritetet kyçe dhe për paketën e nëntorit.

Përmbyllja e reformës zgjedhore dhe parlamentare dhe dorëzimi i rezultateve të prekshme për 12 prioritetet kyçe janë kushtet që duhet të plotësojë vendi deri në muajin shtator, kur nis hartimi i progres raportit të Komisionit.
 

Pergatiti: Arta Tozaj 

Top Channel