Partitë e vogla të spektrit të majtë dhe të djathtë edhe njëherë tjetër kanë kërkuar që komisioni parlamentar i reformës zgjedhore të marrë në shqyrtim kërkesat e tyre që lidhen me korrektimin e sistemit zgjedhor dhe pasjes akses gjatë procesit të numërimit të fletëve të votimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Ne duhet të bëjmë një presion pozitiv, respektivisht tek ty partitë e mëdha, por në radhë të parë i bëj thirrje kolegëve të mazhorancës që në funksion të qëllimit tonë të përbashkët, të realizojnë një presion pozitiv tek Partia Demokratike. Ne i kemi bërë të qartë nga ana jonë Partisë Socialiste që duhet të këmbëngulë në bisedime”, deklaroi kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.

Nga ana e tij, partneri kryesor i koalicionit qeverisës, kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha: “Duhet një reformë që të kthejë besimin tek qytetarët se vota e tyre do të jetë e barabartë ashtu siç e parashikon kushtetuta dhe se ajo do të lexohet drejt dhe në mënyrë transparente. Për këtë ne jemi shprehur dhe kemi kërkuar ndryshimin e sistemit përllogaritës, në mënyrë që të bëhet një barazi më e rëndësishme e votës. Të gjitha këto çështje duhet të diskutohen padiskutim nga komisioni i reformës zgjedhore. Po kaq i rëndësishëm sa vetë zgjedhjet dhe standarti i tyre është edhe përfundimi i kësaj reforme brenda muajit korrik”.

“Së bashku me Bjellorusinë, jemi ndër vendet e vetme në Europë ku votat nuk numërohen”, argumentoi Neritan Ceka, kreu i PAD-së. “Partitë duhet të jenë pjesëmarrëse në procesin e votimit, por jo aktorë në ndarjen e votave”.

Petro Koçi, i “PSV91”, shtoi: “Dokumenti i nënshkruar nga 26 parti politike duket se po kthehet në një letër higjenike, nga një letër politike. Po dëshmohet edhe një herë se interesat e ngushta politike personale janë duke dominuar mbi interesat publike të qytetarëve”.

Në fund të kësaj tryze kryetari PR Fatmir Mediu ka lexuar një deklaratë e cila i është dërguar komisionit të reformës zgjedhore si dhe faktorit ndërkombëtar akredituar në tiranë duke kërkuar ndihmën e tyre.

Në deklaratën e lexuar prej Mediut shkruhej ndër të tjera: “Të shqetësuar në lidhje me vonesat e deritanishme, të krijuara qëllimisht në punën e komisionit të reformës zgjedhore dhe sidomos, në mosrespektimin e kërkesave që janë nënshkruar nga të gjitha partitë, me anën e kësaj deklarate, kërkojmë edhe një herë sot respektimin e domosdoshëm të dokumentit të firmosur nga 26 partitë”.


Reagimi i Partisë Socialiste: Barazia e votës, përparësi për ne

Deputeti socialist dhe bashkëkryetari i komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri, paraqiti reagimin zyrtar të Selisë Rozë me një deklaratë gjatë pasdites, ndërsa theksoi edhe një herë vullnetin e partisë më të madhe në opozitë për të çuar përpara reformën.

“Partia Socialiste, me qëndrimet e saj publike ka dashur gjithmonë të adresojë çështjen e barazisë së votës. Të gjithë shqiptarët e dinë se PS ka qenë promotore e çdo ndryshimi përmirësues, për transparencën dhe barazinë e votës”, tha Gjiknuri.

“Kemi qenë të hapur për korrektimin e sistemit zgjedhor dhe vazhdojmë t’i mbetemi këtij qëndrimi. Që fjalët t’i lënë vendin veprave, është koha që Partia Demokratike, publikisht të deklarohet në është e hapur për korrektimin e sistemit zgjedhor apo jo. PD duhet të deklarojë nëse i qëndron apo jo marrëveshjes së firmosur me 26 partitë. Partia Socialiste do ta bëjë këtë çështje pjesë të komisionit të reformës zgjedhore dhe ne publikisht kërkojmë që edhe partitë e tjera të maxhorancës, të vijnë në komision dhe të mbështesin qëndrimin tonë që çështja e korrektimit të sistemit zgjedhor të bëhet pjesë në ditët e mbetura të reformëz zgjedhore”, përfundoi Gjiknuri.

Top Channel