Lotaria Kombëtare për të verbërit

26/06/2012 00:00

Qeveria refuzoi kërkesën e Shoqatës së të Verbërve për licencën e njërës nga lojrat e lotarisë kombëtare. Top Channel disponon dokumentat zyrtar që vërtetojnë se 6 muaj më parë Shoqata e të Verbërve iu drejtua zyrtarisht qeverisë për të kërkuar organizimin e lotarisë me gogla duke paraqitur dhe projektligjin përkatës.

Drafti i ka shkuar Ministrit të Punës, Spiro Ksera dhe kryeministrit Sali Berisha, por qeveria nuk i dha përgjigje shoqatës pasi vendosi ta tenderonte atë për t’ia dhënë një kompanie private.

Drafti parashikonte që organizimin e kësaj lotarie në nivel kombëtar ta bënte Shoqata e të Verbërve përmes një skeme të caktuara që parashikonte punësimin rreth 3 mijë të verbëreve përmes shitjes së biletave nëpër pika të vecanta të shpërndara në të gjithë vendin.

Në Bashkimin Europian, por edhe në rajon janë shumë vende të cilat ja kanë kaluar Lotarinë Kombëtare Shoqatës së të Verbëreve. Spanja, Çekia, Suedia, por edhe Kroacia janë disa prej tyre, ku Lotaria Kombëtare i është lënë Shoqatës së të Verbërve si një mundësi për punësimin e tyre, por edhe punësimin e kësaj shtrese thuajse tërësisht të përjashtuar nga tregu i punës për shkak të pamundësisë fizike.

Njëkohësisht përmes dhënies së Lotarisë Kombëtare kësaj shtrese, qeveritë lehtësojnë buxhetin nga transfertat sociale. Në fakt tentativa për t’ia kaluar Lotarinë Kombëtare të verbërve ka patur që në vitin 2008, ku gjatë miratimit të ligjit për lojrat e fatit, një grup deputetësh nga opozita, por edhe maxhoranca, mes të cilëve dhe ish-ministri i Jashtëm në atë kohë, sot kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha mbështesnin propozimin për të lënë njërën nga lojrat kombëtare të fatit tek Shoqata e të Verbërve, por propozimi u rrëzua nga maxhoranca dhe tashme kjo licencë kalon si monopol për të krijuar të ardhura vetëm tek një biznes privat.

Top Channel