Damian Gjiknuri e ka me merak të sqarojë se opozita as e ka pasur dhe as e ka ndër mend ta bojkotojë reformën zgjedhore, siç e akuzuan të premten kolegët e tij demokratë.

“Ka pasur sulme dhe spekullime me qëllim intimidimin e personit tim mbase, por edhe të rolit të opozitës në procesin e reformës. Kërkojnë të na portretizojnë në sytë e të tjerëve sikur nuk duam Reformën Zgjedhore dhe kemi qëllim ta bllokojmë atë. Në të vërtetë Partia Socialiste është e interesuar në mbylljen një herë e mirë të procesit në mënyrë që të kemi një infrastrukturë dhe platformë të qartë ligjore për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thekson Gjiknuri.

Zoti Gjiknuri pranon se debati që u zhvillua të premten në mbledhjen e Komisionit ishte emocional dhe i provokuar nga demokratët. Sipas zotit Gjiknuri, e vërteta është se ekspertët i kanë marrë detyrat.

Madje palët janë sot pranë arritjes së një kompromisi për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Ajo që i ndan, është riformatimi dhe detyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

«Kemi pasur dy paketa shumë të rëndësishme për identifikimin elektronik dhe numërimin elektronik. Të dyja do të qëndrojnë dhe i kemi miratuar me konsensus. I gjithë problemi është se sa do t’i shtrijmë. Po shohim mundësinë e shtrirjes së tyre në qendrat e mëdha.
Ndahemi tek problemi i KQZ-së dhe roli i tij për procesin hetimor. Jemi të gatshëm për kompromis edhe për formulën e emërimit të KQZ-së dhe jemi të vendosur për të garantuar të drejtën e dy anëtarëve të kenë mundësinë e aksesit në dokumentacion dhe kjo është pika kyçe», deklaron Gjiknuri.

Komisioni i Reformës Zgjedhore është rimandatuar nga Parlamenti të enjten e shkuar.

Komisioni do të ketë edhe tre javë të tjera kohë për të arritur një kompromis të plotë për të tëra pikat e mbetura pezull.

 

Top Channel