Spiropali: Debatet, shprehje e demokracisë së brendshme

22/06/2012 00:00

Kryetarja e Forumit Rinor Eurosocialist, Elisa Spiropali, një ditë pas
debateve në Asamblenë e Përgjithshme të FRESSH-it dhe braktisjes së
mbledhjes prej saj, me pretendimin e manipulimit të listave të
anëtarëve, doli të premten para mediave dhe deklaroi se FRESSH është një
organizate që ka demokraci, pjesë e të cilës ishin edhe këto debate.

“Jam shumë e keqardhur për deformimin që i është bërë dashakeqësisht në një sërë mediash, një cështjeje të brendshme organizative të FRESSH. Më vjen keq për këdo kundërshtar që ka kujtuar se ka gjetur arsye për të hedhur baltë mbi FRESSH-in dhe Partinë Socialiste, por arsye të tilla nuk ekzistojnë.
Pas një pune të jashtëzakonshme dhe një fushate të shkëlqyer, që është bërë nga FRESSH-i, për një model të ri gare dhe një model që ofroi në sytë e të gjithë shqiptarëve një shembull të ri, na u desh të zgjidhnim një problem organizativ, që tashmë e kemi zgjidhur. Askush s’ka pse çuditet nga debatet tona të brendshme dhe as pse të vrapojë dhe të nxjerrë lajme të shtrembëruara, nga media dashakeqe për ne për qëllime politike, për një çështje që nuk ka asnjë interes publik. FRESSH është sigurisht një organizëm i gjallë ku kanë vërshuar të rinj dhe të reja nga të gjitha anët e Shqipërisë, që kanë të gjithë hapësirën e nevojshme për të qenë dakord ose jo me një gjë ose më një tjetër”, tha Spiropali.

Top Channel