Bode: Nuk duam para nga lotaria

21/06/2012 19:50

Opozita akuzoi për herë të parë publikisht qeverinë se nuk po e shet licensën e llotarisë kombëtare në interes të qytetarëve, por po ja jep atë klientëve të saj privatë.

”Në këtë çështje nuk ka asnjë interes publik. Interesi i vetëm i Saliut nuk është që të shtojë para për buxhetin, që fiton vetëm 3,5 milionë euro, kur mund të fitonte dhjetëra miliona. Interesi i vetëm i Sali Berishës është që të përfitojnë klientët e tij”, akuzoi deputeti socialist, Erjon Braçe.

Pak orë më vonë, nga zyrat e Ministrisë së Financave ka ardhur edhe reagimi i parë i qeverisë për akuzat, përmes ministrit të Financave, Ridvan Bode.

Zoti Bode tha se qëllimi i qeverisë nuk ishte të arkëtonte të  ardhura, por një tjetër.

”Parësore për qeverinë dhe financat ishte zgjedhja e një operatori që të jetë i sprovuar në këtë fushë dhe të ofrojë integritetin e tij, si dhe provë që kapitalet e tij janë krijuar në mënyrë krejtësisht të ligjshme. Është e rëndësishme që të demonstrojmë një politikë për një lojë të ndershme dhe të përgjegjshme për shqiptarët”, shtoi Bode.

Por, cfarë e pengoi qeverinë që të vendoste njëkohësisht si kriter në tender edhe garancitë për ndalimin e kapitaleve të dyshimta, por edhe çmimin?

”Këshilltari na këshilloi këtë formë. Po të vendosnim çmimin parësor, është e qartë që me dhjetëra kompani bastesh apo kompani më të vogla të dyshimta do të paraqiteshin me oferta të majme. Menduam se caktimi i një çmimi fillestar më të lartë nuk është një kriter i drejtë. Kështu na kanë këshilluar dhe kështu kemi vepruar”.

Megjithatë, kreu i financave thotë se licensa e llotarisë nuk po falet, pasi sipas tij buxheti i shtetit do të përfitojë në një tjetër mënyrë.

”Ne kemi  miratuar një ligj, i cili detyron kompaninë që përveçse të paguajë në buxhet taksat si çdo subjekt tjetër, duhet të derdhë edhe një 10% të xhiros së përgjithshme”.

Por, opozita prej muajsh ka këmbëngulur në një zgjidhje tjetër, mbajtjen e llotarisë në pronësi publike për ta përdorur atë për politikat sociale të shtetit.

”Ne kemi ngritur shqetësimin nisur nga interesi publik që ajo llotari të mbetet monopol i shtetit. Në garën e tenderit tonë është paraqitur kompania shtetërore austriake. Pra, ata që janë në BE i mbajnë shtetërore këto kompani, kanë një standart në këtë fushë për mbrojtjen e interesit publik edhe në këtë drejtim, ndërsa ne duam ta privatizojmë këtë”, tha Braçe në seancën e së enjtes në Kuvend.

Nga ana e tij, Zoti Bode komentoi edhe rastin e llotarisë kombëtare të Maltës, të sjellë në vëmendjen e opinionit publik nga kompania greke “Intralot”, duke ngritur një pretendim.

”Ju që mbroni atë që ndodhi në Maltë, shkoni e shihni se çfarë po ndodh aty. Shkruani përse liçensa aktualisht është e pezulluar. Shteti nuk duhet të jetë një aktor ekonomik, sidomos në një fushë si kjo e basteve, që mund të përfshinte shtetin në shumë akuza në të ardhmen”, theksoi ministri i Financave.

Licensa e llotarisë kombëtare në Maltë zotërohet nga “Maltco loteri”, një kompani që në pjesën dërrmuese të saj, 75 për qind të aksioneve, është në pronësi të grekes “Intralot”, tashmë e njohur për publikun shqiptar.

Tenderi u zhvillua në mars dhe çmimi i shitjes ishte 39 milionë euro, kur ofertuesi i dytë dha 36 milionë euro. Kompania humbëse e ankimoi rezultatin, por në 26 maj, pas një procesi,  një gjyq civil në shtetin e Maltës vendosi përfundimisht vlefshmërinë e saj duke i dhënë dritën jeshile kompanisë së zotëruar nga grekët e “Intralot”, e cila tani operon normalisht.

Braçe: Llotaria, korrupsion i pastër

Pas deklaratave të ministrit Bode, ka reaguar sërish deputeti Erjon Braçe, i cili shprehet i shokuar nga “përgjigja”!

”Këta duan që çdo akt të padenjë, akt të dëmshem për interesin publik, akt korruptiv të na e imponojnë si “normalitet”, të pranueshem, madje shembull”, shkruan Braçe në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.

Ministri ka thënë sot se qeveria i ka besuar tërësisht “konsulentit” për këtë praktikë. Ky element i ri nuk e zhbën skandalin, por në mënyrë të qartë dëshmon për mungesen totale të transparencës në çdo hallkë të kësaj praktike.

”Kërkush deri më sot nuk ka ditur se Qeveria paska bërë tender për konsulentin, paska shpallur një fitues dhe se ky fitues paska patur të gjitha atributet që duhet t’i ushtrojë shteti”, deklaron deputeti Brace.

”Nga ana tjetër, deklarimi i Ministrit se për qeverine, pasi kanë përjashtuar shtetin nga përfitimet direkte të llotarisë, nuk ishte prioritet çmimi, por ndalimi i depërtimit të kapitaleve të pista, është skandaloz”, vijon Braçe.

”Kuvendi ka miratuar ligje, prej tyre janë ngritur agjensi, me taksat e tyre shqiptarët paguajnë që këto agjensi të mbrojnë shtetin nga depërtimi i parave të pista”.

Sipas Braçes, qeveria ka mundësi të plota ligjore për të ndaluar kapitalet e pista dhe te fitojë e garantojë kapitalet e pastra.

”Nga tre mundësi”, shkruan zoti Braçe, “që ta mbante llotarinë shtetërore, ta tregtonte licensën në vlerën më të lartë të tregut ose ta falte; qeveria zgjodhi ta përdorë licensën për të qerasur klientin e bandës më të madhe të interesave pranë saj me një të drejtë monopol që kushton deri 100 milion euro, aq sa qeveria kërkon të marrë kredi nga Banka Botërore.

Zoti Braçe e mbyll reagimin e tij me thirrjen drejtuar Kryeministrit për anullimin e tenderit sa është ende në kohë.

Top Channel