Rrotull nesh “po bëhet kiameti”

16/05/2012 00:00

MUSTAFA NANO – Të gjithë kanë qenë me idenë se Italia ia hodhi me Mario
Monti-n. Ky i fundit, edhe nën inkurajimin e mbështetjen e agjencive e
organizatave ndërkombëtare, iu vu kursit të reformave të “austeritetit”,
dhe tani janë agjencitë ndërkombëtare të rating-ut (më saktë,
“Moody’s”) që, për shkak të këtyre masave “të disiplinës fiskale e
financiare”, po paralajmërojnë ditë të vështira për Italinë.

E kanë filluar me vlerësimin negativ të 26 bankave italiane, përfshirë dhe Bankën Intesa San Paolo që operon në Shqipëri. Ky lajm që mbërriti parmbrëmë në Romë ka provokuar reagimin e zemëruar të italianëve, të cilët po shohin një komplot në këtë mes. Ca e ca po shohin një hakmarrje ndaj hetimit që kanë nisur vjet prokurorët italianë ndaj tri agjencive të famshme, “Moody’s”, “Standard & Poor’s’ dhe “Fitch”. Casini, kreu i njërës prej partive që po mbështesin qeverinë “Monti”, është lëshuar fort me të marrë vesh këtë mandatë. “Ky është agresion ndaj Italisë, ndaj biznesit, ndaj familjeve e qytetarëve italianë”, tha ai. Sindikata e sipërmarrësve të fuqishëm, Confindustria, ka reaguar po njësoj: Ky është një sulm ndaj nesh.

Në fakt, nuk e kanë vetëm me agjencitë e rating-ut. Kohët e fundit janë shtuar zërat, të cilët thonë se Italia do pasojë fatin e Greqisë, se borxhi i saj publik është tmerrësisht i madh, se reformat e disiplinës financiare që janë kryer e janë në plan për t’u kryer do të bllokojnë rritjen, se kriza greke që do të finalizohet me kthimin tek dhrahmia do ta ketë impaktin më të parë mbi Italinë.

Nëse kanë pritur mandatën nga Greqia, ajo u ka ardhur dje pasdite. Partitë politike në Athinë e kanë mbyllur kapitullin e negociatave, në përfundim të të cilave u mor vesh se në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e dy të dielave më parë nuk gjendet asnjë lloj shumice qeverisëse, dhe se për rrjedhojë nuk mund të dalë një qeveri. Krerët e partive parlamentare, me Presidentin Papulias në buxhak, i kanë ardhur rrotull muhabetit për ditë të tëra, kanë hedhur në tryezë të gjithë versionet e mundshme, kanë provuar alkimitë më të çuditshme parlamentare (shpresohej për një deus ex machina të minutës së fundit, por asgjë e tillë nuk ndodhi; atuja e Presidentit ishte një “qeveri profesorësh e teknikësh”, por i dhanë munxët dhe kësaj), e gjithçka, e mira publike e grekëve mbi të gjitha, ka mbetur në llucën e egoizmave individuale. Secili pjesëtar negociatash ka pasur veç një gjë në mendje teksa ka qenë duke dhënë e marrë me interlokutorët: fitoj apo humbas në zgjedhjet e ardhshme nëse marr pjesë në një koalicion qeverisës në këtë moment? Dhe përgjigjja që ca parti, mes të cilave Syriza, i jepnin kësaj pyetjeje ish se “veç humbje ka nga pjesëmarrja në një koalicion”, duke harruar se duke mos ndërtuar një qeveri tani, humbja do të jetë më e madhe për të gjithë. Dhe për ta, sigurisht. E nuk është fjala për një humbje që mund të rikuperohet.

Nesër do të vendoset për të ndërtuar një qeveri ad interim që do ta çojë vendin në zgjedhje, të cilat do të mbahen nga mesi i qershorit. Cili është skenari, mbi bazën e të cilit do të rrjedhin ngjarjet? Është vështirë të flitet me saktësi në këtë situatë, por ca gjëra dihen, megjithatë. Teksa janë mbledhur këto ditë, krerët e partive greke kanë mundur të lexojnë dhe një dokument të hartuar nga Kryeministri i fundit Lukas Papademos, në të cilin thuhet se “bankat greke janë ende të brishta, dhe se burimet financiare për të paguar pensionet e pagat e administratës mbajnë deri në qershor”. Një kjo. Së dyti, menjëherë pas përhapjes së lajmit mbi dështimin e negociatave, u shtuan zërat europianë që linin të kuptoheshin mesazhe kërcënuese. Ministrja austriake e Financave, Maria Fekter, ai gjerman Wolfgang Shaueble (që “e ka zënë keq me grekët”) e deri dhe Presidenti i Komisionit Europian, José Manuel Barroso, kanë përcjellë sinjale dy e më shumëkuptimëshe. U desh një ndërhyrje e Kryeministrit luksemburgez, Jean-Claude Juncker (ky është dhe kreu i Ecofin-it, ndryshe Këshilli i Punëve Ekonomike e Financiare të BE-së), i cili nuk e sheh gjendjen të pashpresë. “Nuk është folur në asnjë rast për ta bërë dalje Greqinë; do bëjmë çmos që ta mbajmë brenda Eurozonës”, tha ai.

Është vërtet kështu? Edhe mundet, por ndërkohë ca të tjerë po përgatiten për variantin më të keq, d.m.th për largimin e Greqisë nga Zona Euro, e për “rishpikjen” e dhrahmisë. Madje, në të përditshmen italiane “La Repubblica” ndiqej hap pas hapi përthyerja imagjinare e katastrofës (autor ish Ettore Livini): “Brenda një jave formalizohet dalja e Greqisë nga monedha europiane; pastaj është hera e një tollovie; Banka e Greqisë do të konvertojë brenda natës depozitat, kreditë e debitë në dhrahmi, duke iu mbajtur kursit të këmbimit para se Greqia të futej në Euro, d.m.th 340,75 dhrahmi për një euro; është fjala për një vlerë virtuale, pasi në harkun e një kohe të shkurtër, monedha greke do të pësojë një zhvleftësim të nivelit 40-70%; për të shmangur dyndjet nëpër sportelet e bankave, Athina do të bllokojë bankomatet, do të kufizojë tërheqjet, e do të kontrollojë transferimet e parave jashtë vendit; GDP-ja do të bjerë; do të rritet inflacioni; ndihmat e BE-FMN-së do t’i ndërpriten (rreth 150 miliardë euro); impakti do të bjerë dhe mbi vendet e tjera të BE-së, në radhë të parë mbi Italinë e mbi Spanjën; por edhe të tjerat do të paguajnë një kosto nga ky zhvillim, që do të shkojë deri në 11 mijë euro për çdo qytetar europian”.

Të kuptohemi, ky është skenari më i keq i mundshëm. Ka ende mundësi që të evitohet ky skenar. Por gjërat varen nga politikanët grekë. Sytë e të gjithëve janë drejtuar tek ta. Cili do të jetë hapi i radhës në Athinë?

Gazeta “Shqip”

Top Channel