Presidenti mes “gjetjes” dhe “kapjes”

23/04/2012 00:00

Aleksandër Çipa – Një ndjesi e keqe ka kapluar shumicën e qytetarëve të vendit, kur bëhet
fjalë për modalitetin e imponuar të gjetjes së presidentit të ri të
Shqipërisë.

Krejt pa vend përdoret termi klasik i “zgjedhjes së kreut të shtetit”, pasi realisht kemi të bëjmë me një proces “emërgjetës”, i cili shkon më tepër me një akt zgjidhës. Kjo zgjidhje “ekuacioni” vjen pashmangshmërisht, vetëm prej dakordësisë së parisë politike.

Skema e gjetjes së emrit të Presidentit të ri të Republikës në vitin 2012, është krejt e ndryshme nga ajo e vitit 2007, kur u imponua Presidenti në detyrë Bamir Topi. Mirëpo metodologjia ka mbetur po ajo.

Kreu i ri i shtetit do të jetë një individ politik, i cili do të dalë prej lojës së ashpër, që protagonistët vendimmarrës do të vijojnë të kryejnë në ditët e ardhme në raport me njëri-tjetrin. Presidenti i ri është një vërtitje deri në çast të fundit mes “trinisë” dominuese të skenës politike, Berisha-Meta-Rama. Shqyrtimi i raporteve përcaktuese, sipas marrëdhënies reale që karakterizon këta tre protagonistë me njëri-tjetrin, është e thjeshtë, por shfaqet e vështirë.

Shfaqet e vështirë, sepse gjetja e përfaqësuesit të ri të Presidentit, është pjesë vijuese e një skeme dominimi mbi pushtetet e kësaj shoqërie që të lë shijen e të qenët parainstitucionale dhe parisë që nuk e njeh largimin logjik nga qeverisja, konform principit të rotacionit konkurrues.

Pala që ka shumicën e votave, është aktualisht në hallin e rëndesës së mbipeshës së pushtetit, por edhe në brengën e tejkalimit të kohës së shpërdorimit të qeverisjes. Një palë mikse djathtisto-majtiste, në të cilën imazhi për korrupsionin është më i madh tek aleati i vogël se sa te forca kryesore qeverisëse. Mirëpo halli ekzistencial i Kryeministrit Berisha, e ka betonizuar kriterin e të qenët në qeverisje, pavarësisht nga mëkatet, me qëllimin e vetëm të kapjes edhe të të “mbeturit të fundit” jashtë kontrollit. Për shkak të kësaj situate, raporti vendimmarrës mes Kryeministrit Berisha dhe aleatit të vet majtist Ilir Meta, më shumë se kurrë, tani është përcaktues.

Por këto nuk janë rrethanat e vetme. Ka shumë të tjera që e vështirësojnë formulën e dakordësisë mes tyre. Një çmim fatsjellës dhe fatprerës ka dakordësia mes tyre kësaj here. Rikthimi me akt vetëkandidues i të vetëlarguarit Fatos Nano nga politika e vendit, është akt i ri i skenës së vjetër. Rikthimi i të vjetrit, evidenton edhe më tepër vjetërsinë apo jetëgjatësinë e parisë me moshë diktature. Prej këtij kriteri, ish-kryeministri Nano rikthehet kaq lehtësisht në ambicien për kreun e shtetit. Por në një pikëpamje ai rishfaqet jo thjesht me kapacitetin e kandidatit pretencioz dhe me staturë të lartë, por edhe si një alternativë partneriale me aktorët për periudhën postzgjidhëse të presidentit. Zgjuarsisht zoti Nano po përdor këtë staturë dhe bekgraund në fjalëshkëmbimet publike me ambasadorin më ndikues në politikën dhe opinionin e vendit, atë të SHBA-së. Natyrisht kjo regji publike nuk e mbulon kompleksitetin e regjisë vepruese për gjetjen e kandidatit përfundimtar për president. Vetë ambasadori amerikan Arvizu e ka parashikuar të ashpër vazhdimin. Protagonizmi brenda parisë synon goditje dhe ndëshkime antagoniste. Lufta kësaj here do të zbresë në skemën e negocimeve brenda grupesh dhe në marrëdhënie klanesh. Është betejë e ashpër që qysh në prolog ka zhvlerësuar kriteret e përkatësisë dhe ato të profilit politik, parimet e modelit institucional apo të shenjtërisë kushtetuese, edhe pse përbetohet për këtë të fundit Kryeministri. Berisha, Nano, Meta dhe Rama në kërkim të kësaj zgjidhjeje janë paravendosur për të pasur pozicione jo fikse, por një lëvizshmëri me qëllim pasveprues.

Kjo është skema më dominante e shfaqur deri tani për zgjidhjen e emrit të ri të presidentit të vendit. Një skemë që vlen vetëm për parinë dhe për qëllimet kapëse të saj në raport me veten.

Kjo skemë nuk jep shpresë për liri dhe mëvetësi pushtetesh në republikën tonë të pas qershorit 2012, por vlen si “shtatzëni” e konfirmuar antagonizmash politikë mes protagonistëve dhe partive me demokraci të shëmtuara.

Kjo zgjidhje në rrethanat e paralajmëruara e kërcënon vendin me një kohë që do t’i duhet për riformulime grupimesh opozitare dhe me rreziqet fraksionuese të opozitës zyrtare. Kjo është e mirëmenduar në opsionet e deritanishme të Berishës, Nanos dhe natyrshëm edhe Metës, sikundër po kaq shumë peshohet edhe prej të kërcënuarit Rama.

Ky perimetër i ngushtë kërkimi për presidentin e ri të vendit, nuk mundëson lindjen e optimizmit për një institucion me integritet të lartë dhe po shërben si premisë për thellimin e trishtimit që ka mbjellë politika e pacilësishme në këtë vend. Kjo pari, që shfaqet e varfër në ide dhe projekte të saj, po riciklon një skemë të vjetër gjetjeje të emrit të ri të presidentit. Për këtë shkak ajo është nën trysninë natyrale të vjetërsisë së vetes dhe të kohës së tejkaluar për një ndryshim cilësor. Këmbëngulja e Kryeministrit Berisha për të çuar në këtë post një personalitet të partisë së vet, PD-së, nuk është qëndrimi final i tij, por si qëllim, mbetet më i rëndësishmi për të.

Gazeta “Shqip”

Top Channel