Sali Berisha mund ta takojë Fatos Nanon për të dëgjuar platformën e tij presidenciale në përpjekje që lideri historik i së majtës të marrë mbështetjen e aktorëve kryesorë politikë për një kandidim konsensual.

Por Sali Berisha nuk është gati të pranojë Fatos Nanon si një kandidat konsensual. I pyetur nga gazetarët, kryeministri u përgjigj shkurt, por bëri të qartë se Partia Demokratike do të ketë kandidatin e saj, i cili do të vendoset nga forumet e forcës më të madhe në pushtet.

“Unë i kam bërë komentet e mia. Kandidati do të jetë një nga personalitetet e PD”, deklaroi Berisha.

Nëse nuk ka konsensus, pra nëse një kandidat për president nuk siguron 84 vota, 3 raundet e para për zgjedhjen e kreut të shtetit do të mbyllen pa sukses dhe votimi quhet i kryer edhe nëse në garë nuk paraqitet asnjë kandidat.

Nëse nuk ka konsensus, e gjithë beteja mes kandidatëve për president do të zhvendoset në 2 raundet e fundit.

Sipas ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës 4 vjet më parë, president zgjidhet kandidati që merr të paktën 71 vota, që është dhe numri magjik për të mos çuar vendin në zgjedhje.

Ish-kryeministri socialist Fatos Nano e shpalli ambicjen e tij për të marrë drejtimin e postit të kreut të shtetit mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Top Story”, në Top Channel.

Top Channel