”Banka Gjermane duhet të njoftonte kompaninë shqiptare me ligj dhe këtë nuk e ka bërë, që fitues do të shpallim filanin dhe vetëm pasi të merrte miratimin nga ana jonë, atëherë mund të zyrtarizonte marrëveshjen. Mos mundoni të gjeni shkaqe të tjera për të mbuluar një korrupsion që duhet denoncuar”.

Kjo ishte deklarata e Ministrit të Financave Ridvan Bode një ditë më parë në parlament duke ngritur pretendimim se banka gjermane KFW është e përfshirë nga  parregullsitë në financimin e tenderit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë.

Por ky pretendim i zotit Bode është hedhur poshtë nga ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Myler Holtkemper, kur u pyet nga Top Channel se cili është qendrimi qeverisë gjermane për këtë cështje.

“Ne zakonisht nuk japim informacione për procedurat e tenderit që janë në proces e sipër. Për ne është një procedurë tenderi në vazhdim. Dua t’ju pohoj se pala gjermane, pra banka për rindërtim ka punuar në mënyrë jashtëzakonisht korrekte  dhe vazhdimisht me transparencë. Ne punojmë vazhdimisht në mënyrë të ngushtë me  partnerët tanë të cilët përgjigjen për projektet teknike dhe financiare, kështu që nuk ishte nevoja për të ndërmarrë masa ose procedura të posaçme”, deklaroi ambasadorja Carola Myler Holtkemper.

Ambasadorja Holtkemper e bëri këtë deklaratë nga Qëndra Gjermane ku mori pjesë në inaugurimin e një spoti që synon nxitjen e mësimit të gjuhës gjermane.

Top Channel