Presidenti për Berishën, si të ish oksigjen

27/03/2012 00:00

Mustafa Nano – Berisha nuk lë rast pa e thënë se Presidentin e Republikës këtë herë do ta zgjedhë nga të vetët.

E thotë këtë gjë kur e pyesin (në studion e “Opinionit”, apo në konferenca për shtypin), por edhe kur s’e pyesin (në mbledhjet e qeverisë apo të grupit parlamentar). Së fundmi e tha sërish në “TV Klan”: “Nuk e kam vënë unë ndonjëherë në diskutim, që Presidenti do të jetë i PD-së; kam shumë respekt për të huajt, jam jashtëzakonisht respektues, por për çështje emrash, unë nuk jam i hapur; përzgjedhja e kandidaturës për kryetarin e shtetit është çështje e shqiptarëve; vendi ka një procedurë kushtetuese për Presidentin, ai është kryetari i shtetit”.

Siç shihet, u mëshon dy gjërave: 1. Presidenti do zgjidhet në respekt të Kushtetutës; dhe 2. Me të huajt jam fare i hapur, pranoj gjithçka, por jo emra kandidaturash për poste funksionarësh. E lezetshme, apo jo? Refuzon dy gjëra, të cilat nuk ia ka kërkuar askush, as i huaj, as i brendshëm. Kurrë nuk ka ndodhur që të huajt, kryesisht diplomatët, të kenë përmendur emra kandidatësh. Mesazhi që ata kanë përcjellë në vijimësi është shumë i qartë: kreu i shtetit duhet të jetë një figurë e pranuar nga palët, që figurë që ndjell konsensus. Pikërisht këtë gjë i kanë kërkuar dhe ata të opozitës. Deri në momentin që flasim nuk është raportuar në asnjë rast që opozita të ketë dhënë ndonjë emër presidencial. Madje, sa herë që gazetarët kanë pyetur lidhur me emra të ndryshëm, përgjigjja e secilit opozitar “të marrë në pyetje” ka qenë si e mësuar përmendësh: “Na intereson metoda, jo rezultati”. Në daljen e fundit, Rama është shprehur tekstualisht, se “[na duhet] një President [që të jetë] mishërim i unitetit kombëtar, një figurë mbi palët, garantues i institucioneve; kam mendimin që procesi mund të nxjerrë emrin, dhe jo emrat procesin”. Në të njëjtën linjë kanë ecur të gjithë opozitarët, sa herë që u është dashur të flasin publikisht lidhur me këtë argument. Të vetmit që kanë folur për emra, kanë qenë berishianët; jo të tërë, por një pjesë; aq sa Berisha u detyrua t’i tregojë vendin njërit syresh, Olldashit, në intervistën e fundit në “Opinion”: “Ministri Olldashi ka për detyrë të merret me infrastrukturën”.

Kjo është për sa i takon pikës së parë. Për të dytën, vlen gjithashtu i njëjti arsyetim. Berisha sillet sikur të gjithë ata që s’janë me të, opozita, gazetarët, diplomatët, po i kërkojnë të shkelë Kushtetutën, dhe në këto rrethana ai po i jep garanci publikut, se do të respektojë Kushtetutën. Mirëpo, ajo që po i kërkohet është krejt e kundërta; po i kërkohet një respektim optimal i Kushtetutës, po i kërkohet respektimi në germë e në frymë i saj. Shkelja e Kushtetutës do të ish në rastin, kur do t’i thuhej se “presidenti duhet të zgjidhet me 69 vota”. Ky është rasti? Jo, s’është ky rasti. Diplomatët e opozita nuk po i thonë ta zgjedhë me 69 vota (dy më pak se sa kuorumi i nevojshëm në votimin e tretë parlamentar), por po i thonë ta zgjedhë me më shumë se 71 vota. Shkelet Kushtetuta, nëse presidenti zgjidhet me 80, 84, 94 apo 104 vota? Jo, përkundrazi, sa më i madh të jetë numri i deputetëve që do të votojnë për të njëjtin emër presidencial, aq më shumë i afrohemi interpretimit ideal të frymës së Kushtetutës, që e përkufizon kreun e shtetit si simbol të unitetit nacional. Pikërisht këtë përcaktim kushtetues kanë nënvizuar diplomatët: presidenti duhet të jetë mishërim i unitetit nacional (në nenin 86, pika 1, thuhet, se “Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”). Dhe nuk janë të huajt që po i kërkojnë të shkelë Kushtetutën, por është vetë ai që po synon ta shkelë me zotimin që ka marrë për të zgjedhur president një nga eksponentët e partisë në pushtet, gjë që do të na japë, jo një njeri që përfaqëson unitetin e popullit, por një njeri që përfaqëson unitetin e PD-së.

Mos vallë Berisha është budallá që bën këto interpretime? Jo, Berisha thjesht bën rolin e budallës. Sa herë ia do puna, ai e bën këtë rol. Dhe në këtë rast, puna ia do sa s’ka ku të shkojë më shumë. I duhet Presidenti këtë herë. I duhet, pasi duke pasur presidentin, mund të zgjedhë më pas një kryeprokuror, e kështu të mbrojë veten e të vetët nga hetimi mbi zullumet e krimet e kryera. Prandaj nuk ka gjasa që Berisha të heqë dorë nga ky plan. Edhe sikur presioni të rritet shumë më tepër se sa kaq, edhe sikur t’i thonë se “Shqipëria bëhet menjëherë anëtare e BE-së, nëse PD-PS arrijnë të zgjedhin një president mbi palët”, ai do t’i mbahet logjikës e nevojës së vet. Dhe jo vetëm ai; edhe të vetët, të cilët dinë ta recitojnë script-in e përgatitur.

Ja, dje ish radha e Fatos Bejës, ish radha e atij, emri i të cilit është në listën e Lal Krosëve presidencialë. Kish dhënë një intervistë në të përditshmen “Panorama”, dhe e gjithë kjo intervistë fokusohej në këtë temë. E çfarë thosh Beja? Thosh se – po sjell disa pohime të tijat ashtu si i ka shkruar – 1. zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë do të bëhet tërësisht në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë (ky është qëndrimi i palogjikshëm i Berishës, që Beja e përsërit si papagall), se 2. nuk ka mospërputhje të deklaratës së Kryeministrit me deklaratat e përfaqësuesve të ndryshëm ndërkombëtarë, të cilët, për hir të së vërtetës, gjithnjë i janë referuar Kushtetutës së Shqipërisë; dhe nuk mund të jetë ndryshe (në këtë pikë po bën edhe Beja si budalla), se 3. kërkesat për t’ua nënshtruar zgjedhjen e Presidentit tryezave partiake jashtë Parlamentit e duke vënë kushte jashtëkushtetuese, nuk e garanton ndarjen e pushteteve (për çfarë kërkesash apo kushtesh bëhet fjalë?), se 4. kriteret e kandidatit për President dhe procedurat e zgjedhjes së Presidentit janë të përcaktuara rigorozisht në Kushtetutë, dhe as mazhoranca, as opozita nuk mund t’i ndryshojë ato (kush ka tentuar t’i ndryshojë këto kritere?), se 5. PD-ja ka detyrimin të mbështesë një kandidaturë, që do t’u përgjigjet aspiratave të shqiptarëve që votuan për të në 2009 e në 2011 (Ou? Aspiratat e shqiptarëve që kanë votuar PD-në? E ç’lidhje kanë këto aspirata elektorale me zgjedhjen e Presidentit? Merret vesh e në këtë rast Beja nuk bën si budalla; ai na tregon se është budalla).

Të tilla arsyetime do na dëgjojnë veshët deri në korrik, kur në Presidencë do të hyjë si kreu i ri i shtetit një nga kodoshët e kësaj kohe. Mund të jetë dhe Beja. Fatos Beja.

Gazeta “Shqip”

Top Channel