Mungesa e ministres së Integrimit Majlinda Bregu, e cila duhet të fliste për planin kombëtar të veprimit që lidhet me plotësimin e 12 prioriteve, ka shkaktuar debate në komisionin parlamentar për integrimin europian.

Antarët e mazhorancës në komision akuzuan kolegët socialistë se janë duke e politizuar këtë çështje pa qenë nevoja.

“Ministrja e Integrimit ka thyer paktin me komisionin sepse kemi rënë dakord që kjo mbledhje të zhvillohej sot. Ministrja duhet të garantojë pjesëmarrjen”, deklaroi deputeti socialist Taulant Balla.

“Ajo që ju konsideruat është me një ton të fortë politik dhe padrejtësie. Nëse do kishit dashur, atëherë të kishit mbyllur reformën elektorale”, u përgjigj deputetja demokrate Mesila Doda.

Ndërsa kryetari i komisionit Ditmir Bushati, duke iu drejtuar deputetëve demokratë tha se duhen ndjekur rekomandimet e BE-së dhe letra shoqëruese e Saninos, drejtorit të Integrimit në Komisionin Europian.

“Nuk e keni çështjen me ne, por me KE-në. Është prioriteti tjetër që i kemi dërguar komisionit të ligjeve, për drejtësinë, kjo cështje që ka ngecur”, tha Bushati.

Top Channel