Dinjiteti politik dhe autoriteti i arsyes

25/02/2012 00:00

Bashkim Abazi – Individi zotëron aftësinë për të gjykuar, kur ka njohuritë e duhura se si drejtohet bota. Çdo individ tjetër ka parazgjedhur në injorancë të jetë pjesë e papërfillshme e Pellgut të Bretkosës.

Filozofia politike ecën shpejt dhe nuk të lejon kohë për arsyetime të gjata. Në ngurtësi dhe vullnet dominimi, Franca dhe Gjermania po mundohen të mbajnë në këmbë një strukturë administrative, politike dhe ekonomiko–financiare për të shpëtuar vetveten.

Nga multilateralë në unilateralë, këto dy zgjatime ekzekutive të BE-së (njëra për Afrikën dhe tjetra për Europën Juglindore), po ngurtësohen në kështjella historike. Ky është një deklarim i rëndë.

Ata që nuk po e kuptojnë janë politikanët e Shqipërisë së Rilindjes. Duan apo jo, tashmë shqiptarët janë përzgjedhur për të qenë “të nevojshëm, të dobishëm“, siç kanë qenë kohë më parë.

Kjo e vërtetë e sundon dinjitetin dhe autoritetin e arsyes përtej vorbullave historike. I lajthituri i shekullit XV-të i ka cilësuar pellazgët dhe ilirët me klithma habie, dhe jo i nisur nga misticizmi i okultit të tij profetik. Kjo ka ndodhur dikur…

Sot, profetët e shpallur janë diabolikë dhe pasuesit idhujtarë janë shërbëtorët më të zellshëm të servilizmit politik. Ata kanë përdhosur çdo element të dinjitetit dhe vetëdijes kombëtare.

Filozofi gjerman, J.Habermas, në një polemikë të nxehtë (edhe pse kohën më të madhe të jetës së tij filozofike e kalon në SHBA) e pranon krizën e etikës globale, duke e mënjanuar “projektin kantian“ në interes të qëllimeve të mira – jepu qytetarëve mundësinë për të marrë vendime, kjo nuk është çështje demokracie, por edhe dinjiteti.

Prej disa ditëve, analiza e mendimit politik për të përcaktuar “mrekullisht“ se çfarë do të ndodhë ditën tjetër është ekspozuar e ashpër dhe me dy shpejtësi të ndryshme: e para është përqendruar në dy “të zgjedhur“ për të qetësuar ujërat e trazuara të BE-së.

Merkel dhe Sarkozy janë në dilema të njohura. Ata dinë se çfarë flasin, deklarojnë dhe i kanë në xhep rezultatet e ligjërimit të tyre. E dyta po i serviloset butësisht procesit të integrimit, gjithë kacavjerrjes servile të qeverisjes Berisha për përfitime personale dhe ashpërsisë ndaj opozitës dhe liderit të saj, Edi Rama.

Analistë të spikatur kanë artikuluar rrugëzgjidhjet e mundshme dhe si mendje të ndritura nga varfëria dhe mjerimi filozofik, kanë derdhur me shumicë mençurinë e kohës së mbrapshtë.

Jam shprehur për kurbanët (s’ka lidhje me librin e Ramës) dhe dëshirën e pashpallur të perëndive për kurbanë. Midis tyre, midis liderëve dhe diktatorëve, endet e paqme frika. Si të tillë ata – sunduesit dhe poseduesit e pushtetit – kanë frikë për personalitetin dhe dinjitetin e tyre.

Në idetë e mija filozofike, e ardhmja duhet të mbetet e panjohur. Kjo paradigmë përkon lehtësisht e kuptueshme me bërjen e politikës në modele të panjohura dhe të pashpallura. Kështu, çdo rezultat tjetër i pritshëm do të kishte si prelud justifikimet, arsyet e duhura për të vazhduar më tej. Edhe në format më të papranueshme.

Përqendrimi i pushtetit, uzurpimi i institucioneve (vetëm dy ndryshimet e fundit për INSTAT dhe DSIK “në varësi të Kryeministrit“) si dhe një marrëveshje pushteti me dhjetë pika, më largon nga ideja e harmonisë së drejtësisë dhe dobishmërisë së modelit të demokracisë që po aplikojmë në dy dekada.

Aktualisht, traktatet e deritanishme nuk po lejojnë zgjerim dhe konsolidim të strukturave kombëtare, rajonale dhe më gjerë. Ky arsyetim vjen nga e drejta për të pasur dinjitet dhe autoritet të arsyes politike (i referohemi politikës, sepse na duhet të arsyetojmë brenda modelit parlamentar të republikës së shpirtrave të stresuar nga ankthi i së ardhmes).

Me zhurmë dhe jo në heshtje, politika po sfidon inteligjencën dhe vetë demokracinë. Renegati Marks duhet të ndjehet i lumtur për këta ikanakë të shtjelluar keqas të demokracisë. Politika shqiptare po vazhdon të dëshmojë se nuk është e gatshme të heqë dorë nga terreni i saj pervers. Në gijotina me kafene gumëzhijnë skenarë patetikë deri në mosbindje dhe ndjesi okulte të një paranoje ekstreme.

Ajo që mungon është arsyeja e autoritetit për të justifikuar qëllimet.

Individë kokëposhtë, të lerosur dhe krekosur po shpejtojnë të vendosin një rend logjik të palogjikshëm. Hamendësime pafund mbushin dhe zbrazin kujtesën e shqiptarëve, për të arkivuar mitologji pa mite.

Një lloj cinizmi klasik, i prezantuar në modele mediatike dhe trendy personal, po errëson edhe dritëhijen më të nevojshme për yjësinë e Demokracisë platonike. Platoni nuk ishte demokrat, por drejtësinë – baza e demokracisë dhe e një qeverisjeje të mirë – e konsideronte të barasvlershme me harmoninë. Mrekullisht, këtë fjalë të shenjtë e kemi vetëm brenda dhe midis objekteve të kultit, jashtë tyre jemi të rrëmbyer nga djalli dhe djallëzia.

Tipologjia e të menduarit pozitiv dhe absolutizimi i dallimeve nga të tjerët nuk mund të gjejnë ngrehinë tek personaliteti formal i autoritetit të pushtetit. Aq më pak tek intelekti i rigjallëruar në politikë. Eksperiencat në dy dekada ndryshimi të sistemit social – politik kanë shfaqur tendencat e ultraindividualizmit dhe të shkrirjes së tij [fshehjes] në identitetin kolektiv.

Identiteti intelektual ka dy kundërshtarë të rrezikshëm: individualitetin dhe egoizmin. Në historinë civilizuese i ka ruajtur të paprekshëm dijetarët dhe filozofët, për t’u paracaktuar atyre fatin e “të qenët apo të ekzistuarit”. Ky pozicion i rreket lakmisë së më të pavëmendshmit.

Në praktikën jetësore, kur është fjala për konceptet e saja materiale [që formojnë një të vetme dhe të pandashme – paraja, pasuria për të jetuar i lumtur, jo në injorancë jetësore] ndodh – në të njëjtën kohë dhe me të njëjtën logjikë formale –  anashkalimi ideal i vlerave dhe virtyteve. Në vendet e pazhvilluara apo në zhvillim, kjo dobësi tradicionale është shndërruar në një gjymtim të individit të diktuar, indoktrinuar apo kolonizuar deri në detaje.

Këtë lajthitje të mendimit do ta mbyll me thirrjen e shkrimeve të shenjta, për të gjithë ata që kanë sy të shikojnë dhe kanë veshë të dëgjojnë: “Deri kur, o të papërvojë do ta doni mungesën e përvojës? Deri kur, o tallës do të dëshironi të tallni haptazi? Deri kur, o budallenj do ta urreni njohurinë”?

Marrë nga gazeta “Shqip”

Top Channel