Përse vdiq Feti Vogli?

22/02/2012 00:00

Blendi Sallaj – Dhimbja në familjen e kapiten Feti Voglit duhet të jetë gërryese.

Unë nuk do të mundohem ta përshkruaj, pasi nuk arrij ta ndiej dhimbjen e tyre aq të përbindshme sa është vërtet. Pikëllimi i tyre duhet të jetë tepër i fortë, aq sa, as ngushëllimet e mia e as të tuat, i dashur lexues, sado të sinqerta, nuk e zbusin dot.

Dhimbjen nuk e zbusin dot as ngushëllimet mediatike të krerëve të shtetit, as shpallja e tij Dëshmor i Atdheut dhe as nderimet e tjera të këtij lloji, që bëhen zakonisht kur dikush humb jetën në rrethana si kjo. Ajo që është e rëndësishme të ndodhë në një rast të tillë, është që vdekja të trajtohet me respekt dhe jeta e prerë shkurt e Feti Voglit të marrë kuptimin që meriton. Që ta nderojmë këtë djalë të ri, këtë bir e burrë, e baba të ndjerë, duhet që t’ia kuptojmë sakrificën. Duhet të kuptojmë pse vdiq Feti Vogli në të vërtetë.

Kam frikë se ata që hidhen përpjetë të shpërblejnë me para familjen, e ta nderojnë me dekorata, apo me një hapësirë për prehje në varrezat e dëshmorëve nuk na ndihmojnë të kuptojmë të vërtetën e thjeshtë të sakrificës së kapitenit Feti Vogli. Druaj se Fetiu nuk luftonte “për Atdheun”, as “për të mposhtur talebanët”, por për të siguruar të ardhurat e nevojshme për familjen e tij. Fetiu luftonte për vajzën e tij të vogël, për gruan dhe familjarët e tjerë. Luftonte, sepse i duheshin paratë për të mbijetuar. Vdekja e Feti Voglit na bën të kuptojmë se çdo thotë të vritesh në një luftë, në të cilën lufton për të fituar bukën e gojës.

Për bukën e gojës, ca lypin, ca shesin paketa, ca vjedhin. Kurse ca, si i ndjeri Feti, vdesin. Se është një gjë, të luftosh për Atdheun, dhe një gjë tjetër të luftosh për bukën e fëmijës. Fetiu bënte këtë të dytën, por këta shtetarët tanë do t’i mëshojnë kësaj të parës, patriotizmit, në mënyrë që mjerimi i kësaj historie të mos shfaqet në të gjithë përmasën e vet.

Nuk jam as kundër pjesëmarrjes në misionet e NATO-s dhe as pro talebanëve në Afganistan, desha ta shpreh këtë përpara se pyetje të tilla të ngrihen në mendjen e lexuesit skeptik. Dëshiroj vetëm që të mos harrojmë se edhe këto misione sublime, luftohen nga njerëz që varfëria i detyron të luftojnë. Ushtarakë si kapiten Vogli nuk luftojnë vetëm talebanët, por më së pari luftojnë mjerimin në familjet e tyre, luftojnë papunësinë dhe mungesën e perspektivës.
Ndaj, ndërsa e përcjellim të gjithë me nderime këtë djalë trim, le ta kuptojmë kauzën e tij humane, luftën e tij njerëzore. Le të mos e mbulojmë të vërtetën e tij të thjeshtë me buqeta patetizmi dhe demagogji. I riu Feti Vogli nuk ishte në Afganistan, as për të vrarë, as për të prerë, kishte shkuar për Punë.

Top Channel