Lleshi: Misionet në Afganistan, të rrezikshme

21/02/2012 19:20

Sandër Lleshi, zëvendës shef i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Shqipërisë, ka shpjeguar në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’ se misioni i trupave shqiptare në Afganistan është i rrezikshëm për vetë faktin se Kandahari konsiderohet “një nga zonat më të rrezikshme të planetit”.

Lleshi tregon edhe një herë çfarë ndodhi: “Një grup i forcave tona speciale në Kandahar ka qenë në mision në kryerjen e detyrës së përditshme. Po merreshin me një operacion që kishte të bënte me hapjen e një shkolle në një fshat të këtij rajoni. Misioni ynë në Afganistan është shumë kompleks: trupat tona merren me shumë gjëra dhe ndërtimi i shkollave është një nga këto. Zjarri është hapur kundrejt trupave tona dhe amerikanëve nga disa njerëz me uniformën e forcave të sigurisë afgane që kishin zënë pritë.”

Në lidhje me Feti Voglin, i cili nuk i mbijetoi sulmit, Lleshi theksoi: “Ai ishte një pikë referimi i familjes dhe tani është bërë një pikë referimi i kombit shqiptar dhe forcave të armatosura. Janë marrë të gjitha masat që të nderohet sa më mirë kontributi i tij në shërbim të Shqipërisë dhe NATO-s. Pritet që sa më shpejt të organizohet transporti i trupit nga Kandahari në Shqipëri. Ceremonia do të organizohet në Pallatin e Kongreseve.”

“Feti Vogli është dëshmori i parë i Shqipërisë në kuadër të një aleance jashtë kufijve të saj. Shteti shqiptar do t’i përmbahet detyrimeve të përcaktuara në ligj për trajtimin e familjeve të të rënëve në luftë”, deklaroi Lleshi kur u pyet se çfarë ndihme do i japë shteti familjes së Feti Voglit.

Në lidhje me gjendjen e Aleksandër Pecit, Lleshi tha: “Po bëhet maksimumi që shëndeti i tij të përmirësohet dhe të stabilizohet përfundimisht gjendja dhe të bëhet i mundur transportimi në Gjermani. Ai po mbijeton dhe ky është një lajm i madh për të gjithë familjarët e tij dhe për ne.”

“Eagle 4 është kontigjent që merret me misione me shkallë rreziku të lartë në zona të rrezikshme. Operacione sigurie, sigurojmë jetën e trupave të tjerë, operacione që kanë të bëjnë me këshillimin e forcave afgane të sigurisë dhe operacioni në fjalë që përbën rrezikun më të lartë ka të bëjë me siguri objektesh. Kontigjenti është një numër prej 20 ushtarakësh, jo të gjithë shqiptarë, ndërsa në total kemi mbi 300 trupa shqiptare në Afganistan, kryesisht në Herad, Kabul dhe Kandahar”, shton Lleshi.

Më tej, zv/shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Shqipërisë shtoi: “Kandahari është një nga zonat më të rrezikshme të planetit. Mosha meshatare e popullsisë është rreth 40 vjeç, kushtet e jetesës janë shumë të rënda dhe të gjithë kanë lindur në luftë. Ne jemi pjesë e koalicionit dhe duhet të kryejmë detyrimin tonë që kemi si anëtarë të NATO-s. Atentate të tilla kanë ndodhur edhe me trupat e tjera aleate.”

“Trupat tona janë në një mision të vështirë dhe rreziku ekziston. Këtë duhet ta dinë të gjithë. Shpresojmë që mos të kemi më ngjarje të tilla”, përfundoi Lleshi.

Top Channel