Familjarë, të afërm, miq, të njohur dhe të panjohur të komandos të plagosur në Afganistan, Aleksandër Peci u mblodhën në kishën e Kamzës për t’iu lutur Zotit për shërimin sa më shpejt të 24-vjecarit.

Mesha u paralajmërua gjatë ditës në një njoftim të vendosur në një mur pranë shtëpisë në të cilen thuhej që të gjithë të lutemi për Sandrin.

Qindra njerëz vazhdojnë të hyjnë dhe dalin në shtëpinë e Aleksandrit. Nuk mungojnë edhe komandot e Zallherrit tek të cilët shihet fare mirë dhimbja për humbjen e një shoku dhe pritja për përmirësimin e jetës së djalit nga Lekbibaj i Tropojës  me banim në Bathore.

Dërgimi i Aleksandrit nga Afganistani drejt Gjermanisë për kurim më të specializuar është një lajm shpresëdhënës për familjen e tij.

“Shpresojmë shumë, shpresat na janë shtuar që kur morëm lajmin që u nis për në Gjermani”, deklaron Nikoll Peci, xhaxhai i Aleksandrit.

Shtëpia e Jak Pecit është një banesë njëkatëshe dhe me kushte modeste. Dhoma e burrave është përshtatur për një ditë të tille, dhe sic e do zakoni shumë njerëz vijnë për t’i dhënë forcë të zotit të shtëpisë.

“Është angazhuar para 4 vitesh. Ishte në misionin e parë në Afganistan”, thotë babai i Aleksandrit, Jak Peci.

Në këto orë të ngarkuara për familjen e Aleksandrit, ku shpresa duket si shpëtimi i vetëm, Bashkia e Kamzës përpiqet t’ua lehtësojë sado pak barrën e rëndë të pritjes. Kreu i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu njofton se Aleksandër Peci është shpallur qytetar nderi.

“Kjo certifikatë i jepet Aleksandër Jak Peci, titulli Qytetar Nderi i Kamzës me motivacion për aktin patriotik, trimërinë dhe kurajon për mbajtjen lart të flamurit të kombit, si dhe për kontributin e dhënë në misionin paqeruajtës të kontigjentit paqeruajtës Eagle 4, pjesë e Organizatës së Paktit të Atlantikut të Veriut, NATO në luftën kundër terrorizmit”, tha gjatë dorëzimit të certifikatës në familjen Peci, kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA