Pas një mbledhje maratonë që zgjati rreth 5 orë, komisioni për reformën zgjedhore ka miratuar me konsensus një paketë të dytë amendamnetesh, që kanë të bëjnë me përmbushjen e rekomandimeve të ODIHR-it për zgjedhjet.

Ky grup amendamentesh ka të bëjë kryesisht me regjistrimin e kandidatëve në zgjedhjeve, ku më i rëndësishmi është heqja e privilegjit të kryetarëve të partive për të kandiduar në më shumë sesa një zonë zgjedhore.

Ky rregull, i kontestuar nga ODIHR si antikushtetues dhe jashtë standardeve, u shkrua në kod për të favorizuar kryetarët e partive të vogla aleatë të dy partive të mëdha, kryetarë të cilët nuk ishin të sigurtë se mund të zgjidheshin në një zonë elektorale dhe i zgjeronin shansin vetes.

Kjo praktikë me ndryshimet e reja tani merr fund. Me konsensus është rënë dakord edhe lehtësimi i procedurave për regjistrimin e partive jo parlamentare, duke reflektuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas këtij vendimi partive joparlamentare për t’u rregjistruar në zgjedhjet e ardhshme do t’u duhen më pak firma dhe jo të noterizuara, sic ishte deri tani.

Ajo që nuk është vendosur akoma dhe kërkon më shumë kohë për reflektim nga palët është cështja e barazisë gjinore. Gjatë dy dekadave në demokraci, politikanët shqiptarë janë treguar bujarë me përfshirjen dhe mbështetjen e grave në politikë. Madje më bujarë edhe se shumë homologë europianë dhe perëndimorë.

Por gratë shqiptare nuk duket se kanë të ndalur dhe oreksi politik është gjithnjë në rritje. Ato kërkojnë që në kodin e ri zgjehdor një në cdo tre kandidatë të jetë grua dhe nëse kjo nuk përmbushet subjekti të mos lejohet të regjistrohet në zgjedhje.

Aktualisht në kod thuhet që një në tre emrat e parë të listës duhet të jetë grua ose 30 përqind e listës të ketë gra.

ODIHR-i rekomandon që tek neni aktual të ndryshojë vetëm lidhëza “ose”, duke bërë detyruese edhe 30 përqindëshin. Kjo do të thotë se propozimi i shoqatave të grave e tejkalon këtë rekomandim të ODIHR-it dhe debati mes politikanëve dhe grave që duan të përfshihen me kuota në politikë ende nuk ka mbaruar.

Top Channel