Shkarkimi i Spahiut, komisioni nis punën

30/01/2012 00:00

Në mbledhjen e parë të Komisionit Parlamentar, i cili po heton
veprimtarinë e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë,
Kreshnik Spahiu është konstituuar përbërja e tij.

Ky komision, i cili drejtohet nga deputeti mazhorancës Enkelejd Alibeaj, do të ketë si sekretare, deputeten Paulina Hoti.

Siç edhe kishte deklaruar më parë në parlament nëpërmjet deputetit Fatmir Xhafaj, opozita nuk mori pjesë në këtë mbledhje të parë, pasi sipas tij “kjo nismë cenon Kushtetutën, ligjin dhe praktikën parlamentare dhe se kërkesa e mazhorancës ishte e sforcuar”.

“Ky komision nuk ka si qëllim t’i kundrejtohet individit, veprimtarisë së tij, por ka për qëllim thjesht dhe vetëm të verifikojë ekzistencën e fakteve dhe rrethanave, të cilat janë pretenduar në kërkesën e grupit nismëtar për ngritjen e këtij komisioni dhe janë të bashkëshoqëruar vendimit të komisionit. Këshilltarit të komisionit dhe administratës së komisionit, deri të mërkurën, do t’i përcaktojmë si detyrë që të mbledhë të gjitha faktet e njohura botërisht ato çfarë kanë shërbyer edhe si ‘spunto’, për ngritjen dhe motivitimin e kërkesës për shkarkimin e tij”, tha Alibeaj.

Sipas ligjit për komisionet parlamantare, zoti Alibeaj tha se do t’i dërgohet një shkresë, ku do të ftohet Kreshnik Spahiu për dëshmuar kur ai ta ketë të përshtatshme.

Ky komision do ta kryejë veprimtarinë  për tre javë.Në mbledhjen e ardhshme të mërkurën do të përcaktohet plani paraprak i hetimit dhe në përfundim të hetimit raporti i komisionit do t’i dërgohet parlamentit. Kërkesën e 33 deputetëve demokratë për hetimin e Kreshnik Spahiut e njoftoi për herë parë kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Vetëm me votat e mazhorancës këtij komisioni hetimor iu hap drita jeshile në seancën plenarë të 26 Janarit.

Nga ana e tij Kreshnik Spahiu ka reaguar duke deklaruar se “Ne do te pergatisim materialin per t’iu drejtuar Gjykates Kushtetuese, duke kerkuar prej saj vleresimin si antikushtetues te komisionit hetimor”.

Rama: Barbarizëm parlamentar

Në përfundim të mbledhjes së parë të këtij komisioni, kreu i opozitës Edi Rama, ka reaguar nëpërmjet rrjetit social Twitter.

Rama e ka cilësuar komisionin “Spahiu” si një vazhdë të barbarizimit të jetës parlamentare në vend.

“Pushteti provon përditë nevojën alarmante për ndryshim. PS e garanton ndryshimin”, ka theksuar Rama. 

Top Channel