Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, promovoi në Athinë librin e tij “Kurban”.

Z. Rama shpalosi atë që e quajti vizionin e tij për Shqipërinë e së ardhmes. Sekretari i përgjithshëm i PASOK, Mihalis Karkimaqis, përshëndeti liderin socialist dhe pritjen e ngrohtë që i bënë atij shqiptarët e Athinës.
 
Z. Karkimaqis pasi vlerësoi librin e liderit socialist, evidentoi rolin e  shqiptarëve në Greqi, të cilët me punën dhe sjelljen e tyre, janë gjithmonë dhe më pranë popullit grek. Pikërisht, në këto momente kemi nevojë për miq të vërtetë, tha ai.
 
Edi Rama i falenderoi të pranishmit dhe u shpreh se ishte tepër i emocionuar nga pritja e tyre. Libri, tha z. Rama, është për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Ai është një libër për Shqipërinë siç duhet të ishte, për të cilën ka shumë gjëra për të bërë. Ne jemi angazhuar t’i japim Shqipërisë një lidership të ri dhe kjo është e mundur duke filluar që me zbatimin e programit tonë.

Rama ftoi shqiptarët që jetojnë në Greqi të marrin pjesë në diskutimin e  programit të ri.

“Shqiptarët janë kokëulur sepse ata që e përfaqësojnë e kanë detyruar ta bëjnë këtë. Po kuptojmë përse na lanë jashtë Europës. Ndodhemi në një udhëkryq tepër të rrezikshëm. Mjafton të shikojmë sulmet që kryetari i qeverisë ndërmerr ndaj Prokurores së Përgjithshme për të kuptuar se ku po e çojnë ata vendin. Duhet të ndërrojmë faqen e Shqipërisë duke ndërruar mënyrën e qeverisjes së vendit”, theksoi kreu i PS-së.
 
Edi Rama ftoi shqiptarët të jenë prezent në proceset e zhvillimit të vendit.
Ai u kërkoi atyre të vijnë masivisht e të votojnë, pasi në këtë mënyrë nuk mund të vidhet më vota e tyre.

Në fund lideri socialist dha autografe për lexuesit e librit “Kurban”.

Top Channel