Provimi i shtetit, MASH shpall datat për Mjekësinë

09/01/2012 00:00

Studentët e porsadiplomuar në fakultetin e Mjekësisë, në degët
stomatologji, farmaci, mjekësi e përgjithshme, mami, infermieri dhe
fizioterapi do t’i nënshtrohen provimit të shtetit në periudhën 16
janar-7 shkurt.

Ministria e Arsimit ka publikuar për secilën degë datat përkatëse të zhvillimit të provimit të shtetit, i cili kryhet për herë të parë në vendin tonë, i bazuar në ligjin për profesionet e rregulluara.

Në fazën e parë të kryerjes së provimit të shtetit marrin pjesë 1500 studentë të diplomuar gjatë viteve 2010-2011 në fakultetin e mjekësisë.Sipas ligjit për profesionet e rregulluara, pas marrjes së provimit të shtetit, kandidatët kanë të drejtë të marrin licensën për të hapur aktivitetin e tyre.

Tarifa e provimit të shtetit është 10 mijë lekë të reja.Çdo kandidat ka të drejtë të hyjë në provim deri në 5 herë duke paguar për cdo radhë tarifën prej 10 mijë lekë.Licensa e tyre sipas udhëzuesve të urdhrave profesionistë rinovohet 5 vjet.

Për vitin 2012, Ministria e Arsimit ka propozuar që për profesionet e rregulluara krahas provimit teorik, studentët e porsadiplomuar t’i nënshtrohen dhe provimit në praktikë. Këtë vit, pritet të futen në provimin e shtetit dhe studentët që përfundojnë degën e mësuesisë.

Top Channel