Elbasan, shfrytëzimi i lumenjve

08/01/2012 15:15

Shfrytëzimi i inerteve në basenet ujore të Qarkut të Elbasanit vijon të mbetet një problem serioz.

Konkretisht janë konstatuar shkelje mbi shtratin e lumit Shkumbin, afër Mirakës dhe lumin e Kutermanit, degë e lumit Shkumbin. Mbi këto basene, në mënyrë të pandërprerë firmat vazhdojnë të marrin materiale inerte, duke shkaktuar një masakër të vërtetë mbi shtretërit e lumenjve.

Hyqmet Gjurea, banor zone, thotë që firmat e shfrytëzimit nuk ndalen së marri inerte mbi lumin e Kutermanit, duke sjellë edhe rreziqe në përmbytjen e tokave bujqësore: “Kemi qenë tek kryetari i komunës, por nuk është bërë asgjë. Tokat rrezikohen gjithmonë e më shumë nga përmbytjet.”

Duket se firmat private shfrytëzojnë ditët e pushimit për të marrë inerte, duke tentuar shmangien e kontrollit nga institucionet përgjegjëse.

Agjensia e Baseneve Ujore në Elbasan nuk ka bërë asnjë reagim për këtë situatë. Po ashtu edhe Inspektorati Ndërtimor dhe Task-Forca e ngritur pranë Prefekturës qe kanë përgjegjësinë  për të kryer kontrolle dhe për të marrë masat që ligji ua ngarkon, ndaj firmave të shfrytëzimti të inerteve, të cilat ndalohen të zhvillojnë aktivitetin deri në pranverë.

Top Channel