Energjia, cmimi nuk rritet

07/12/2011 00:00

Enti Rregullator celi mbledhjen ku do të vendosë për tarifat e reja të energjisë për vitin 2012.

“Do të kalohen disa pika. Do të fillohet me planin e investimeve të KESH-it, OST-së dhe CEZ-it, pastaj do diskutohet llogaritja e tarifave të prodhimit, shërbimit, furnizimit me shumicë, transmetimit, shpërndarjes, furnizimit me pakicë dhe cmimit të energjisë elektrike për konsumatorët tariforë për tremujorin e tretë”, thotë Sokol Ramadani, kryetar i ERE-s.

Nga takimi, i cili zgjati deri pasdite vonë, nuk u mor asnjë vendim. Sipas ERE, vendimi u shty për t’i dhënë kohë kompanisë CEZ të japë argumenta mbi planin e saj të ri të investimeve, ndërsa vendimi për tarfiat e reja të energjisë elektrike do të bëhet i ditur për publikun të mërkurën e javës tjetër.

Por Top Channel ka mësuar paraprakisht se cmimi i energjise, te cilet paguajne qytetaret do te mbetet i  pandryshuar, por do të ketë lëvizje brenda pjesëve të cmimit që marrin tre kompanitë e tregut të energjisë elektrike.

Burime konfidenciale i thanë Top Channel se cmimi me të cilin KESH i shet aktualisht CEZ do të dyfishohet dhe nga 1.48 lekë shkon në rreth 2.9 deri në tre lekë. Enti thotë se në vendimin e tij ka marrë parasysh të gjitha shpenzimet e kompanive përkatëse dhe tarifat e reja të miratuara u mundësojnë atyre të mbulojnë këto shpenzime.

KESH kishte kërkuar nga ERE një rritje cmimi me 3.4 herë në kërkesën e saj fillestare, ndërsa CEZ  nga ana e tij propozi dy variante ku njëri e rriste cmimin me 4.6 për qind, ndërsa tjetri e linte atë të pandryshuar me kusht që qeveria të shlyente detyrimet që ajo ka ndaj CEZ.

Ne fakt rritja e cmimit për KESH-in këtë herë duket si një dëmshpërblim për vendimin e vitit të kaluar, kur Enti Rregullator uli cmimin, me të cilin kjo kompani i shiste energjinë CEZ-it. Ky vendim, që nuk u pa me sy të mirë nga qeveria, u pasua në atë kohë menjëherë me largimin nga detyra të ish-kryetarit të Entit, Bujar Nepravishtës.  

Top Channel