Tragjedi në Tiranë, shuhet familja

04/12/2011 00:00

Shpërthimi i një bombole gazi në një apartament në rrugën “Derhemi” në Tiranë, i ka marrë jetën tre personave të një familje.

Ngjarja e rëndë dhe shokuese ka ndodhur rreth orës 3 të mengjesit të së dielës. Pasi në apartament kishte rrjedhje gazi, një prej anëtarëve të familjes Spahiu me origjinë nga Pogradeci, dyshohet të ketë krijuar një kontakt elektrik duke shkaktuar edhe shpërthimin.

Si pasojë e tragjedisë humbën jetën në mënyrë të menjëhershme bashkëshortët Genc e Florida të moshës 35-vjecare si dhe vajza e tyre Jona, ndërsa vogelushja Dea, ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacionin e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në kryeqytet.

Shpërthimi i bombolës së gazit ka qenë i fuqishëm sa ka shkaktuar panik tek të gjithë banorët e pallatit. Ndërkohë që flakët kanë përfshirë edhe apartamentin sipër banesës së familjes Spahiu.

Zjarrefikset dhe forcat policore bënë të mundur vetëm shpëtimin e 4-vjecares Dea, duke e transportuar me urgjencë në spital.

Apartamenti i familjes Spahiu e cila jetonte aty me qera është shkatërruar pothuajse i gjithi. Ndërkohë që mëngjesi i së dielës e ka gjetur të gjithë rrugën “Hoxha Tahsim” të shokuar për ngjarjen e rëndë.

Vdekjet nga shpërthimet e gazit janë bërë të shpeshta në kryeqytet, dhe sërish mbushja e bombolave në mënyrë të pakontrolluar dhe artizianale vazhdon të shkaktojë viktima.
 
Gjithsesi do të jetë grupi hetimor që ka kryer ekspertizën që do të nxjerrë një shkak përfundimtar se cili ka qenë shkaku i shpërthimit. 

Top Channel