Elbasan, mungesë uji

30/11/2011 00:00

Burimet që furnizojnë ujësjellësin e Elbasanit kanë pësuar rënie drastike për shkak të thatësirës dhe në qytet ka mungesa të theksuara me furnizim.

Situata në fjalë rrezikon të lërë pa ujë të pijshëm më shumë se 130 mijë banorë të qytetit.

Këtë shqetësim e ka ngritur vetë Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-kanalizimeve i cili i bën thirrje konsumatorëve të kursejnë ujin e pijshëm, ndërsa ka shtuar se ndërmarrja do të ndërpresë me orë të tejzgjatura furnizimin me ujë jo vetëm për konsumatorët familjare, por edhe për administratat publike, të cilat janë qendrat shëndetësore, spitalet, shkollat, cerdhet, etj.

“Situata është më kritikja në 20 vitet e fundit. Kjo lloj situate nuk është përsëritur herë të tjera dhe niveli i puseve është në nivele kritike. Masa e parë që do të merret është ulja e furnizimit me ujë, ulja e orareve të furnizimit me ujë të qytetit”, deklaron Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-kanalizimeve në Elbasan, Ardian Zhidro.

Nga ana teknike, e ka shpjeguar në detaje thatësirën  në të cilën ndodhen nivelet u ujit, Shefi  i Sektorit të Prodhimit, Dashamir Cela.

“Nivelet janë nën kuotën e lejueshme. Puset janë në nivele të ulëta dhe ne thithim aq ujë sa prodhon pusi, rreth 130 litra për sekondë”, thotë Shefi i Sektorit të Prodhimit, Dashamir Cela.

Në kete  kuadër  Përgjegjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve , u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos shpërdorojnë ato pak rezerva të mbetura. 

Top Channel