Kur zgjedhjet mbajnë era qelb

29/11/2011 00:00

Edon Qesari – “Peshku qelbet nga koka”: një shprehje e kahershme, nga moti i
osmanllinjve, që aq mirë mund t’i përvishet kinse-revolucionit të
valëvitur në Egjipt përgjatë shkurtit të shkuar.

Në ato ditë të pranverosura arabe, ndërsa soditej me plot endje shpalosja e thirrjeve kundër tiranisë, u servir në skenë një ndërmarrje epokale, siç mund të qe plandosja e Mubarakut, nëpërmjet një veçantie që jo pak u kujdesën të këqyrnin: ai revolucion vuante mungesën e theksuar të një fytyre, jo me çdo kusht individuale, deri aq sa në thelb doli që qe jetim.

Me një terminologji që i përshtatet normave klasike, apo ta themi shkoqur, leniniste, të shpjegimit të ndodhive të këtilla, mund t’i përafrohemi përfundimit se revolucionit egjiptian të shkurtit i mungoi një pararojë, jo vetëm klasiste me bazë sociale, por edhe programatike me një bazë ideore, aq më pak ideologjike.

Natyrisht, një résumé e tillë është e ndotur me klasifikime perëndimore, ndërsa shumë mund ta kundërshtojnë këtë pikë vrojtimi duke kundërvënë relativizmin e pohimeve: pra, për ta thënë qartë, nuk mund të gjykojmë përjetimin e një ngjarjeje të tillë në Egjipt, apo në krejt botën arabe – duke qenë tërë ndodhitë e këtij fillim viti, n’ato anë, janë në prag të dështimit – nëpërmjet shpjegimeve të manualistikës perëndimore, huajtur nga përvoja historike europiane.

Do të përgjigjesha se të njëjtin dyshim mund të vëmë edhe në përcaktimin e lëvizjeve arabe me termin “revolucione” atëherë, duke qenë se në thelb ato nuk lëshuan, në retrospektivë, ndofarë aromë përmbysjesh, përveçse të disa fytyrave të dhjamura dhe mplakura. Përjashtim bën vetëm, megjithëse ende duhen disa vërtetime empirike, rasti tunizian, që, meqë ra fjala, përmban kontekstin socio-kulturor më të ngjashëm me atë perëndimor, aty ku në pararojë të mësymjes popullore ndaj Ben Alisë ishte zhgënjimi (frustration) i një klase të mesme që nën të pati lulëzuar qëmoti. Ndërsa, në rastin egjiptian, kur them se revolucioni u qelb që nga koka, opinioni mbështetet në dy aktorët që rreken t’i japin plotkuptimësi atij në vendin e piramidave, atje ku përplasjet mes Shtetit dhe demonstruesve kanë përfshirë përsëri legjendarin shesh me emër “Tahrir”, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të 28 nëntorit. Datë kjo e fundit që nga anët tona shënon hyrjen në një 100-vjetor të vakët shtetformimi, ndërsa për egjiptianët do duhej të përuronte zgjedhjet e para demokratike dhe të lira në një vend kyç të botës arabo-islamike.

Aktori i parë që ia qelbi kuptimin revolucionit egjiptian është Këshilli i Lartë i Forcave të Armatosura (më mirë i njohur me akronimin anglo-sakson SCAF). Në shkurt ky organ, me respektueshmërinë e padiskutueshme që gëzonte në popullatë, e ftoi Mubarakun që të linte vendin, duke i premtuar të rinjve të sheshit “Tahrir” se ushtria, do t’i përcillte përgjatë tranzicionit drejt zgjedhjeve të para të lira. Gjithçka mbante erë q’atëhere, edhe sepse mos harrojmë rëndësinë politike (jo më pak faktin se 40% e ekonomisë së vendit është në duar ushtarake) që Forcat e Armatosura kanë pasur jo vetëm në regjimin e Mubarakut por që prej coup d’etat të Oficerëve të Lirë (1952) kur bota arabe u verbua nga retorika naseriane. Me pak fjalë, revolucioni egjiptian dështoi sepse koka që e mori përsipër ta shoqëronte ishte e qelbur prej gjysmë shekulli. Megjithatë, çka gjeneralët sot kërkojnë nuk është në të vërtetë komanda e dukshme e Shtetit. SCAF parapëlqen të mbetet në hije, por duke siguruar në këtë mënyrë paprekshmërinë e tij. Rreth këtij qëllimi mbijetese rrotullohet edhe arsyeja se përse ishin ata, jo turma, që detyroi Mubarakun të tërhiqej. Ndërkaq që rais-i egjiptian i kishte mundësitë, pikërisht nëpërmjet ushtrisë, që të shtypte kryengritjen, gjeneralët ishin në kulmin e indinjatës ndaj tij ndërsa kërkonte të kthente diktaturën, ushtarake në gjenezë, në një dinasti familjare. Pra, u hodh një diktator për të vazhduar qetësisht diktaturën. Ndërkombëtarisht gjithashtu, SCAF e ka shfaqur grushtin e tij të fortë si kusht i domosdoshëm për paqe. Ndaj Izraelit (paqja e të cilit me Egjiptin duket se mbahet vetëm me patericat e ushtrisë) dhe ndaj perëndimorëve (për sa i përket qëndrueshmërisë së Egjiptit si faktor gjeostrategjikisht ndërkombëtar). Prova e çeliktë ishin mësymja e turmave në ambasadën izraelite gjatë gushtit, ku gjeneralët gëzuan rolin e shpëtimtarëve, dhe bastisja apo sulmi masakrues që ku bë të krishterëve koptë, ku SCAF vajtoi si viktimë lozonjare. Aspekte të ndryshme presioni për të bërë të ditur se pa të, Egjipti do të pëlcasë si bombol gazi, në një rajon që mbahet në fitila të ndryshkur.

Me pak fjalë, duket se revolucioni është vjedhur, ndërkaq që më shumë se 11.000 procese ndaj civilësh (katër herë më shumë se në epokën mubarakiane) janë hapur nga gjykatat ushtarake dhe gjendja e jashtëzakonshme, premtimi i parë i gjeneralëve, ende nuk është hequr. Rendi publik është faktori më shqetësues në Egjiptin pas-mubarakian – paradoksale nga një vend ku ushtria hiqet si kujdestare klase – ndërkaq që formalisht çdo qeveri civile duhet të marrë leje tek ata edhe për t’u dorëhequr. Nuk është hiç e habitshme që ta kundronim reagimin e tanishëm të të rinjve egjiptianë, të cilët vëngërisht kanë mbushur përsëri Kajron, me synimin, sipas tyre, për ta çuar në vend atë çka ndërmorën në shkurt, në një plan analogjirash historike. Të zellshmit e përkujtesave do thonin sesa i ngjan tërë kjo mesele egjiptiane Revolucionit rus të shkurtit 1917, i cili përmbysi regjimin e carit, megjithëse vetëm në tetor (që për një çështje kalendarike të Rusisë pre-sovjetike përputhet me nëntorin tonë) i dha goditjen përfundimtare qeverisë së A.Kerenskit, aspak revolucionar në sytë e bolshevikëve. Ishin këta të fundit që e çuan në përmbyllje porosinë e nisur që në shkurtin e po të njëjtit vit.

Ky paralelizëm na lejon të shohim më kthjelltazi aktorin e dytë të tragjedisë egjiptiane, i cili ka shkëlqyer në rolin e tij lodrues midis skenës dhe avanskenës politike: Vëllazëria Myslimane. Ashtu si bolshevikët e vitit 1917, kjo organizatë pati pak rol në dyndjet e shkurtit, megjithëse falë shtresëzimit të saj në shoqërinë egjiptiane, mori drejtimin e një pjese të madhe të turmave. Ja pra faktori tjetër që e qelbi revolucionin e shkurtit, pasi idealet e tij, që pak kishin të bënin me normat e Vëllazërisë, u përvetësuan politikisht nga kjo e fundit. Por ky ishte fundja çmimi i një lëvizjeje si ajo e sheshit “Tahrir” që preku majat e 1 milion të pranishmëve, ndërkaq që Kajro vetë përmban më se 8 milionë banorë dhe gjithë Egjipti gati 80. Vëllazëria arriti jo vetëm të dilte nga kaçubeja ku u fsheh gjatë gjithë fillimit të revolucionit, por edhe të mbajë sot rolin e moderuesit mes protestuesve qe vazhdojnë të klithin në “Tahrir” dhe SCAF-it. Ndryshe nga bolshevikët në fakt, Vëllazëria e di fort mirë se nuk leverdis një putsch për të marrë pushtetin (kush beson ende sot se Lenini e zuri Pallatin e Dimrit nëpërmjet një revolte popullore do bënte mirë të shihte më pak filmat e Ejzenshtajnit). Ndaj, sot ka një luftë të brendshme, mes të rinjve, tejet të ngrehur për të marrë pjesë në përplasjet me ushtrinë dhe të vjetërve, atyre që i kanë pas shpatullave vitet e burgjeve dhe e dinë që nervi i ushtrisë nuk duhet tendosur. Fillimisht, në këto protesta të nëntorit, Vëllazëria u duk nëpër sheshe, por u kuptua shpejt se ishte thjesht një formë presioni e saj, në aleancë me morinë e grupeve salafite, për t’i bërë presion ushtrisë. Në këtë mënyrë kjo e fundit, nuk do të shuante nga defteri zgjedhjet me justifikimin e atmosferës demonstruese. Siç shihet fundja, vëllezërit përdorin po të njëjtat forma dukshmërie që ndërkombëtarisht shfrytëzon edhe ushtria. Nga dita e tërheqjes, dhuna nëpër rrugë ka qenë e madhe, por pjesëmarrja është tkurrur, shenjë kjo edhe e ndikimit të gjerë që ata gëzojnë. Shefi i tyre shpirtëror, Muhamed Badie, në mënyrën më finoke të mundshme, tha së fundmi se përplasjet – ndërkaq që dhjetëra jetë kanë humbur në këto ditë – janë element shqetësues për zgjedhjet, frazë elegante që tregon se Vëllazëria nuk do t’i mbështesë më si në shkurt. Le të themi përfundimisht pra, që ata kanë pranuar vardisjet e ushtrisë dhe të “soft-revolucionit” që gjeneralët lejuan të frymëmerrte në shkurt, duke i vënë vulën bashkëqeverisjes së tyre të ardhshme. Arsye e mjaftueshme fundja për të thënë se demokracia nuk rrjedh nga një palë zgjedhje, aq më pak kur janë palo të tilla, nga ato që edhe disa shtete qindvjeçare ende s’kanë mësuar si bëhen.

Gazeta “Shqip”

Top Channel